Humbja e thellë me rezultatin 4 me 1 në ndeshjen e djeshme në përballjen me Partizanin është një sinjal alarmi për kampin kuqeblu. Drejtuesit e klubit duhet ta marrin në konsideratë situatën aspak të mirë që ka përfshirë skuadrën, pasi pa as më të voglin dyshim, shpartallimi që kuqeblutë patën dje në kryeqytet në përballjen me Partizanin, si dhe zbritja në tabelën e klasifikimit, në vendin e parafundit, me vetëm një pikë larg nga Teuta që mbyll renditjen, duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë.
Ndërrimi i trajnerëve u mendua se mund të jepte ndikimin pozitiv në ndryshimin e situatës, por për momentin kjo nuk dha rezultatin e duhur. Specialistët e futbollit dhe opioni sportiv në përgjithësi, janë të mendimit se me Vllazninë është gabuar që në ndërtimin e saj duke sjellë apo mbajtur në Shkodër lojtarë jo cilësor, të cilët përpos kontratave jo të vogla që kanë firmosur me klubin kuqeblu janë inekzistentë në kontributin për ekipin e Vllaznisë.
Pa përfshirë emra të tjerë që janë lakuar dhe pranuar publikisht edhe nga vetë drejtori sportiv Elvis Plori, shembulli më i keq në këtë drejtim është ai i ndeshjes së djeshme, kur dy qëndërmbrojtësit, Stojanoviç dhe Juriç, gabuan pa fund duke ndikuar në pësimin e golave dhe humbjen e krejt ndeshjes me rezultatin 4 me 1.
Por, parë në tërësi, nuk ishin vetëm këto dy futbollistë që ndikuan në atë paraqitje zhgënjyese të Vllaznisë, sepse edhe pjesa tjetër e formacionit e tillë ishte. Duke shmangur në një farë mënyre kapitenin Bekim Balaj, jo vetëm për golin mjeshtror që shënoi, por më së shumtmi për volumin dhe përkushtimin e tij në fushën e lojës, pjesa tjetër e skuadrës dukej sikur luante pa nerv, në një monotoni të pakuptueshme.
E gjitha kjo situatë, e thënë më qartë është një mesazh për drejtuesit e klubit dhe posaçërisht për presidentin Alban Xhaferi, i cili duhet të ndërhyjë në ndryshimin e gjendjes, pasi në të kundërt, nga një skuadër pretendente për trofe, nëse vijohet me këto paraqitje të dobëta, Vllaznia mund të prek fundin e renditjes duke rrezikuar seriozisht rënien nga kategoria.