Sunday, September 8, 2024

Vllaznia, në RTSH: Sponsori Xhaferi, klubi kuqeblu, si një model për të ardhmen

Lexo

Ka qenë një rrugëtim mëse 14 mujor, por një rrugëtim që për Alban Xhaferin është kurorëzuar me sukses.

“Kemi patur një vit të suksesshëm, por dhe të vështirë gjithashtu, sepse Vllaznia pas një periudhe të vështirë u rikthye në rrugën e trofeve dhe të suksesit. Sigurisht që ka qënë një sfidë në vetvete çdo proçes tek Vllaznia, duke filluar që nga marrëveshja që është realizuar vitin e kaluar me Bashkinë, por edhe menaxhimi i klubit ku jemi munduar të bëjmë më të mirën”.

Për donatorin, që tanimë mund ta cilësojmë edhe si presidentin e Vllaznisë, ka qenë vendimtare edhe mbyllja e procesit të privatizimit të klubit.

“Edhe procesi i privatizimit ishte një sfidë tjetër, u bënë 10 muaj që ka filluar dhe tashmë i ka kaluar të gjitha ato hallkat, tani presim thjesht finalizimin, nënshkrimin e marrëveshjes dhe fillimin e një historie të re për Vllazninë”.

Duke folur posaçërisht për RTSH Sport, biznesmeni e cilëson administrimin e klubit nga privati si kyçin e kthimit të një skuadra si Vllaznia tek lavdia e dikurshme.

“Çdo klub në Europë, çdo klub modern është nën menaxhimin e privatit, është diçka që është ezauruar në klubet e mëdhaja. Gjithashtu, edhe në Shqipëri shumica e klubeve janë në duart e privatit, pavarësisht se bashkitë mund të kenë pjesën e tyre. Kjo është një gjë historike për qytetin, sepse Shkodrës kështu i kthehet një aset i fuqishëm. Jam i bindur se do të ecim në rrugën drejt suksesit, drejt vlerave, drejt Vllaznisë së madhe. Procesi i menaxhimit nga private është shumë më dinamik, shumë më kompleks, shumë më i thjeshtë në kuadrin e shumë proçedurave dhe sigurisht që kjo ka qënë dhe synimi im në momentin që kam marrë pjesë, por dhe i Kryetares së Bashkisë, që për arsye të caktuara nuk ka arritur ta përfundojë këtë poçes më përpara. Por tani është momenti dhe çdo gjë ka përfunduar tashmë, mbeten disa etapa që janë më shumë teknike”.

42-vjeçari ka një plan të qartë me 3 pika për ringritjen e klubit kuqeblu.

“Rruga që nisëm vitin e kaluar, mendoj se ishte fillimi i një strategjie të re për menaxhimin e Vllaznisë dhe sigurisht që do ecet në ato hapa. Unë kam cilësuar tri pika të rëndësishme që Vllaznia ka nevojë për ndërhyrje, të cilat kanë nisur por do të jenë më të fuqishme nën menaxhimin e privatit. Pika e parë është rikthimi në rezultate. Shpresojmë që këtë vit të kemi ndërtuar një skuadër konkurente për të ecur përpara drejt rrugës për titull. Pika e dytë, shumë e rëndësishme, është infrastruktura, investimi në infrastruktur. Bashkia tashmë është më e lehtë në menaxhimin e fondeve për të ndihmuar klubin, për të financuar në infrastruktur. Edhe FSHF ka shprehur dëshirën për të ndihmuar në infrastrukturë. Edhe nga ana e privatit, konkretisht nga ana ime do të jetë një angazhim i shpejt për të bërë ndryshime. Me ndryshimin e infrastrukturës do të hapet drita jeshile drejt një klubi komplet profesionist, duke nisur që nga akademia e deri te ekipi i parë. Të gjithë duhet të ndihen komod. Pika e tretë ka të bëjë me zgjerimin tek pjesa e marketingut, mirëmenaxhimit të burimeve të klubit. Është i rëndësishëm afrimi i partnerëve serioz, që janë të interesuar të reklamojnë produktet e tyre, apo të investojnë në klub. Mendoj se janë tri pikat kryesore ku klubi duhet të fokusohet, të ndërtojë Vllazninë e së ardhmes, të luajë në kupat e Europës minimalisht dhe në një kohë të shpejtë të jetë pjesëmarrëse dhe në fazën e grupeve”.

Kreu i klubit shkodran ka bërë edhe një analizë të skuadrës nga sezoni i shkuar drejt sezonit të ri.

“Dua të falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar vitin e kaluar për arritjen e rezultateve. Sigurisht që lojtarët janë pjesa kryesore e këtij suksesi. Mendoj që grupi është ruajtur pak a shumë. Sigurisht që ka patur largime, me dëshirën e tyre apo pa dëshirën tonë për disa lojtarë që kanë ikur. Ne kemi nisur merkaton që në qershor dhe mendoj se janë ofruar lojtarë me cilësi dhe kemi synuar që të dublojmë çdo pozicion, madje të kemi dhe alternativat e treta në mënyrë që skuadra të jetë e përgatitur dhe të jetë e plotë në sfidën e saj në kampionat. Grupi bazik është ruajtur, është plotësuar me lojtarë të rinj”.

Megjithatë, ai mbetet i hapur sa i përket përforcimeve.

“Mendoj se merkato nuk është mbyllur, do të ketë dhe një afrim tjetër. Do të jetë një afrim i nevojshëm për pozicionin që na duhet, mendoj se do të jetë shumë i vlefshëm”.

Të shtunën, Vllaznia ndeshet me Teutën në duelin e Superkupës së Shqipërisë dhe Xhaferi e kërkon këtë trofe edhe si një triumf moral.

“Superkupa është një moment i bukur, që fillohet edhe kampionati, sepse testohet se ku jemi. Por, njëkohësisht Superkupa është një fitore morale e një sfide të  vitit të kaluar, për të treguar se cila ishte skuadra më e mirë e kampionatit. Sigurisht që skuadrat kanë ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar, si Vllaznia ashtu dhe Teuta. Do doja një ndeshje të bukur, një ndeshje spektakël që ofrohet për tifozët. Sigurisht, do kisha dashur fitimin e trofeut”.

Synimi kryesor i Vllaznisë për sezonin e ri mbetet titulli “kampion”, por Xhaferi nuk heq dorë as nga trofetë e tjerë.

“Objektivi kryesor është kampionati, Vllaznia ka vite që nuk e ka fituar, presim të vendosim yllin në fanellë. Patjetër që do të mendojmë edhe për Kupën”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img