Thursday, December 5, 2024

Vllaznia, një leksion i pastër futbolli-Opinion nga Ervin Baku

Lexo

Do të flas pa tifozllëk. Mund ta kem edhe gabim. Por, si gjithmonë, jam unë. Duke thënë gjithmonë atë që mendoj… Mbrëmë isha në Shkodër. I falemnderoj të gjithë sepse dinë me i trajtu dhe respektu siç duhet njerëzit që pasionin për sportin e kanë në shpirt dhe në zemër…Pashë një mbrëmje të madhe futbolli. Një mbrëmje që i kishte të gjitha brenda: Emocionet, golat, eurogolin, përmbysjen e rezultatit, kontestimet, vendimet e gabuara të gjyqtarit, spektaklin, magjinë.

Pashë një Vllazni të madhe dhe një Dinamo që veç fanellën kishte “të madhe”. Unë mendoj që Vllaznia e “zvogëloi” shumë Dinamon. Me një futboll të vërtetë spektakolar…Çdo sulm i Vllaznisë ishte një rast i pastër për gol. Realisht, më erdhi ndërmend Bajerni i Mynihut. Gjyqtari gaboi në dy raste. Të dyja në favor të Dinamos. Te penalltia që akordoi dhe te goli i tretë i bluve. Aksioni i të cilit nisi pas një faulli në mesfushë…

Emocionet i dhuruan të dyja skuadrat, golat po ashtu… Eurogoli i takon shkodranëve, edhe përmbysja e rezultatit atyre i takon… Vllaznia e Shkodrës i dha mbrëmë Shqipërisë një leksion të pastër futbolli, me spektaklin dhe magjinë shkodrane.

Dinamo e nisi ndeshjen me skenarin më ideal të mundshëm. Kaluan në avantazh pas vetëm 5 minutash lojë. Por, vetëm kaq… Dhe kaq është shumë pak… Shumë shumë pak. Mbrojtja e Dinamos ishte një katastrofë e vertëtë mjedisore… Futbolli nuk luhet pa mbrojtje…

Por kjo humbje e rëndë i bën shumë mirë Dinamos. I zbret me këmbë në tokë. Investimet marramendëse të një presidenti shumë pasionant duhet të shpërblehen në fushë. Pa tangërllëk, por me punë. Deklaratat bombastike për superioritet mbi ekipet e tjera nuk çojnë ujë te mulliri i Pascucci-t… Presioni i panevojshëm i dëmton lojtarët… Ku ka si profili i ulët…

Vllaznia është në rrugën e duhur… Është pretendente në luftën për titullin kampion… Por, duhet lënë të luajë futboll. Sepse, deri tani, bashkë me Kukësin, bëjnë futbollin më të bukur në Shqipëri. Dhe më thelbësorja: Nuk duhet festuar para kohe. Kampionati sapo ka filluar. Rruga është shumë e gjatë… Ka shtigje dhe të përpjeta.

Foto, Ferdinand Hazisllari

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img