Merkato tashmë do të jetë një kryefjalë te Vllaznia deri në fundin e muajit gusht. Me shkodranët të cilët pavarësisht disa afrimeve që kanë bërë deri më tani, kanë ende nevojë për përforcime në skuadër. Repartet ku do të kërkohen futbollistë për të plotësuar ekipin do jenë kryesisht ato të mesfushës dhe sulmit. Kjo pasi ende ka “boshllëqe” të cilat duhen “mbushur” me futbollistë cilësorë dhe që bëjnë diferencën.
KALLAKU – Në mesfushë, emri më i lakuar gjatë gjithë kësaj periudhë ka qenë ai i Sherif Kallakut. Me ish-mesfushorin e Teutës që ishte një “fiksim” personal i trajnerit Martini, i cili e kërkonte medoemos fushëkrujasin si pjesë të skuadrës së tij.
Dhe nga dje mund të themi se Kallaku është lojtari më i ri i Vllaznisë. “Panorama Sport” mësoi ekskluzivisht se Kallaku ka firmosur me shkodranët dhe do të jetë nën urdhrat e Edi Martinit për sezonin e ri futbollistik. Shkodranët afrojnë një lojtar cilësor, që do të rregullojë jo pak lojën e kuqebluve.
Endri ÇINARI