Me përfundimin e ndeshjeve të ekipit kombëtar, Kampionati Kombëtar i “Abissnet Suiperiore” rikthehet këtë fundjavë me xhiron e 14-të. Kalendari e ka vendosur Vllazninë të luajë këtë javë brenda duke pritur në stadiumin “Loro Boriçi” ekipin e Teutës, ndeshje e cila do të zhvillohet në orën 17:00.
Pas miqësores me skuadrën malazeze, Arsenal Tivat, e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” të shtunën e kaluar, e cila u mbyll në barazim 1 me 1, kuqeblutë e Vllaznisë kanë vijuar përgatitjet në fushën sportive “Hasaj” të Golemit duke u përqëndruar në strategjinë anti-Teuta.
Ashtu siç është bërë me dije edhe më herët, në minutat e para të miqësores me malazezët, mesfushori kuqeblu Ardit Krymi ka pësuar një dëmtim, i cili e ka detyruar të largohet nga fusha e lojës. Dëmtim i cili vazhdon të jetë present, duke e lënë Krymin jashtë grupit të stërvitjes kuqeblu. Jashtë grupit është edhe sulmuesi Essang Matuiti, futbollist i cili në fund të ndeshjes Elbasani-Vllaznia mbeti i dëmtuar duke u transportuar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
Që të dy futbollistët janë nën vëzhgimin e stafit mjekësor dhe po punohet, që të paktën Krymi të rikuperohet deri në fund javë për ndeshjen me Tutën. Ndërkohë, pjesa tjetër e skuadrës ëhstë në dispozicion të stafit Teknik dhe në rradhët e tyre vërehet një optimizëm për marrjen e një tjetër rezultati pozitiv në përballjen me bregdetarët e Teutës.