Monday, November 25, 2024

Vllaznia-Teuta, finalja e madhe në Basketboll Meshkuj. Super atmosferë në “Qazim Dervishi”, kuqeblutë eleminuan përmes drithërimash Tiranën, me fitoren e dytë, 71-69

Lexo

Vllaznia-Tirana Neptun- 71-69

(20-18, 11-17, 23-15, 17-19)

E shtunë, 7 maj 2022, ora 18:00, Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” Shkodër

Vllaznia: Tomer(11), Rakaj(5), Shestani(5), Butler(21), Coper(6)/ Dobbs(16), Memçaj(5), Gjeçaj, Kruja, Shabani. Trajner: Damian Bekteshi

Tirana: Vogli(16), Hysenagolli(15), Hysa(21), Hamati(16), Coco(0), Hasani(1), Brari, Strazimiri(1), A. Sharra, M. Sharra, Krëste. Trajner Erkand Karaj

Gjyqtarë: Ervin Koçi, Edison Gjoni, Amarildo Brahilika

Komisionier: Salvator Kurti

Me dy fitore radhazi, e para në kryeqytet, dhe e dyta sonte në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, Vllaznia në basketboll për meshkuj eleminon në gjysëmfinale Tiranën duke shkuar në finale pa pasur nevojë të luhej ndeshja e tretë. Në finale e madhe, skuadra kuqeblu gjen Teutën, e cila nga ana e saj edhe ajo eleminoi Kamza Basket me dy fitore radhazi, e para në Durrës, dhe e dyta sonte në Kamzë me rezultatin 66-119. Nëse durrsakët e patën më të lehtë kualifikimin në finale për vete diferenca në pikëzim, kuqeblutë e arritën një gjë të tillë përmes drithërimash ku rezultati 71-69 për Vllazninë u fiksua në sekondat e fundit të krejt ndeshjes. Madje, për hirë të së vertetës, miqtë nga Tirana patën avantazhin e duhur kur kishin në dispozicion sulmin e fundit, të cilën e shpërdoruan për një gabim në zonën e koshit të Vllaznisë nga Vogli. Topi i zotërua nga kapiteni Shestani, në duart e të cilit u dëgjua vërshëllima përfundimtare e gjyqtarëve që mbyllen ndeshjen, duke fiksuar shifrat 71-69 për Vllazninë.

Ndeshja

Për të mbërritur tek rezultati 71-69, loja pati një rivalitet të madh, ku dy perioda i fitoi Vllaznia dhe dy të tjera Tirana. Por, ajo që bëri diferencen ishte perioda e tretë, të cilën Vllaznia e fitoi një diferencë prej 8 pikësh(23-15). Ndërkohë, periodat e tjera patën rezultate të ngushta: 20-18 për Vllazninë e para, 11-17 e dyta për Tiranë që fiton edhe pjesën e parë 50-54, dhe 17-19 po për Tiranën e katërta, por pa mundur të frenojë fitoren e krejt ndeshjen nga Vllaznia me shifrat 71-69. Në një ndeshje, ku amerikanët, Butler dhe Dobbs ishin pikëshënuesit më të mirë për Vllazninë me 21 dhe(16 pikë, ndërkohë që tek Tirana, pikëshënuesit më të mirë ishin Hysa dhe Vogli, me nga 16 pikë secili.

Tifozëria-Nota 10-të

Nëse ka një notë për t’u vendosur për këtë ndeshje, ajo shkon për tifozërinë shkodrane dhe konkretisht për grupin “Vllaznit Ultras”, të cilët në vendosur në njërën prej tribunave të “Qazim Dervishi”, me plot gojën meritojnë notën 10-të. Entuziasmi dhe brohoritjet në mbështetje të skuadrës së zemrës Vllaznia, ishin pa ndërprerje që përpara ndeshjes, gjatë ndeshjes për të vazhduar gjatë edhe pas ndeshjes.  Ato ishin padyshim, arma kryesore e fitores së Vllaznisë në këtë ndeshje, natyrisht pa lënë mëjnanë edhe tifozët e shumtë që kishin mbushur si asnjëherë tjetër edhe tre tribunat e tjera të pallatit të sportit, të cilët duke iu bashkuar ritmit të grupimit ”Vllaznit Ultras”, ia shtuan akoma më shumë bukurinë kësaj ndeshje.

Trajneri Bekteshi

Dhe, së bashku me tifozërinë kuqeblutë, pa lënë mënjanë vetë basketbollistët që luajtën në fushën e lojës, notën 10-të në mënyrë të padiskutueshme ka trajneri Damian Bekteshi, i cili ashtu si edhe në ndeshjet e tjera u tregua një strateg i vertetë në dirigjimin e skuadrës drejt fitores së kësaj ndeshje, ashtu siç ka bërë edhe në të tjerat, ku bilanci që prej marrjes së detyrës së tij, është tejet pozitiv, në 7 ndeshje, 6 fitore.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img