Ardhja në pankinë e Goce Sedloskit ktheu trendin negativ të rezultateve te Vllaznia. Me katër pikë në dy ndeshje në pankinë, maqedonasi po mban gjallë ëndërrën për një vend në Europë përmes dy rrugëve, të cilat kanë mbërritur të dyja në një udhëkryq. Tekniku do të luajë Klasiken e parë në pankinën e Vllaznisë, kundër Tiranës në kampionat dhe tre ditë më pas do të sfidohet në gjysëmfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë kundër Egnatias. Dy rivalët më të fortë të mundshëm për shkodranët, që e kanë të qartë se luajnë gjithcka në këtë javë vendimtare.
Kuqeblutë kanë nevojë për një fitore, me avantazhin se e luajnë Klasiken në Loro Boriçi, para publikut të shtëpisë. Rezultati bëhet shumë përcaktues në kohë, kur 42 pikët e bëjnë ta ndajnë vendin me Egnatian me detyrën të mos e humbasin nga sytë pas javës së 30 të kampionatit. Nga ana tjetër pozitat e shkodranëve të Sedloskit komplikohen nga presionin që bëjnë nga poshtë Laçi, Erzeni e ndoshta edhe Kukësi që mezi pret të kthehet në lojë.
Precedentët e këtij sezoni nuk japin asnjë indicje në fakt me përplasjet që i kanë provuar të tre rezultatet e mundshme. Kështu, tekniku maqedonas e ka domosdoshmëri triumfin në Klasike, sepse ka ardhur me objektivin Europë në detyrë për të zëvendësuar Mirel Josën. Për fat, titulli nuk ishte kusht, por për të automatizuar vitin e kontratës plus në krye të Vllaznisë, duhet me cdo kusht të arrijë në Conference League dhe Sedloski i luan të dyja kartat brenda javës…