Me seancën stërvitore të zhvilluar paraditen e sotme në fushën sportive të Golemit, kuqeblutë e Vllaznisë kanë mbyllur plotësisht aktivitetin futbollistik për vitin 2025.
Nga sa bëhet e ditur, skuadra është lënë pushim për dy ditët e ardshshme, 31 dhjetor 2025 dhe 1 janar 2026, ndërkohë që rikthimi do të jetë me datë 2 janar 2026.
Rikthim që do t’i gjejë kuqeblutë në Ulqin për minifazën përgatitore dimërore, e cila pritet të jetë rreth një javore, sepse shumë shpejt, më datë 10 janar 2025, Vllaznia do të jetë në fushën e lojës.
Sfida e parë zyrtare që hap vitin 2026 do të jetë për kompeticionin e Kupës së Shqipërisë në kuadrin e ndeshjeve të fazës 1/8, ku kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Edi Martini do të presë në stadiumin “Loro Boriçi” ekipin e Pogradecit.
Katër ditë më pas, më datë 14 janar 2026, Vllaznia do të luajë përsëri në shtëpi, por këtë radhë për javën e 19-të të kategorisë Abissnet Superiore duke pritur në stadiumin “Loro Boriçi”, Egnatian kampione në fuqi.
Në pritje të fillimit të pjesës së dytë të sezonit futbollistik, në radhët e Vllaznisë pritet të ketë lëvizje, ku si pasojë e një dëmtimi të rëndë, vazhdimësia e mesfushorit Dross në përbërje të kuqebluve do të jetë e vështirë.
Ndërkohë, që edhe pse stafi ka deklaruar se skuadra është e plotë në të gjithë repartet, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndonjë përforcim të mundshëm gjatë ditëve të merkatos së janarit.
Në lidhje me këtë process, për momentin, pengesë mund të jetë bllokimi i merkatos nga UEFA, si rezultat i reagimit të disa futbollistëve për mos shlyerjen në kohë të detyrimeve financiare ndaj tyre që gjithësesi burime brenda klubit Klubit të Futbollit Vllaznia, bëjnë të ditor se një pjesë e tyre janë likujduar dhe të tjerët janë në të njëjtën linjë, që do të thotë se nëse stafi teknik do të ketë ndonjë piketim serioz merkatoje, drejtuesit e klubit janë gati për t’ia plotësuar kërkesat.



