Egnatia është kampione e Shqipërisë për sezonin 2024-2025. Rrogozhinasit ia dolën të mbrojnë trofeun e kampionit, të cilin e fituan edhe një vit më parë.
Në finalen e madhe në “Arena Kombëtare”, skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova, triumfoi me rezultatin e pastër 4-0.
Në minutën e gjashtë, Bakayoko lëvizi mjaft mirë në zonë dhe shërbeu për Lushkjan, i cili nga fare pranë dërgoi topin në rrjetë. Të besuarit e Tetovës e nisën pjesën e dytë “zjarr” dhe dyfishuan shifrat. Regi Lushkja realizoi sërish, duke kompletuar dopietën me një gol me kokë. Goli që i dha goditjen përfundimtare Vllaznisë ishte ai i Melos në minutat e fundit. Deri në fund pati kohë edhe për një gol të Ujkës
Vllaznia zhgënjeu totalisht, pavarësisht se në stadium kishte një mbështetje të madhe tifozësh, të cilët kishin udhëtuar nga Shkodra për trofeun. Egnatia konfirmon dominimin në futbollin shqiptar, duke fituar titullin kampion për të dytin vit radhazi.