Partizani – Tirana është finalja e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit për meshkuj, që të dielën do të luhet në ora 16:00 në Palestrën Sportive në Farkë. Partizani në gjysmëfinale ka mundur Studentin, 3-1. Tashmë me ndryshime në ekip, kjo pas largimit të Sabliqit dhe ardhjes së Barutit dhe Dodës, Partizani ka vështirësi. Megjithatë ka arritur të marrë dy sete njëherazi 25-18 dhe 25-20. Në setin e tretë Tomorri i jep mundësi lojtarëve të rinj, të cilët nuk përgjigjen ashtu siç duhet dhe Studenti fiton 25-20. Edhe të katërtin, që e ka fituar 25-23, Partizani e ka marrë me shumë vështirësi.
Një Tiranë më në formë krahasuar me ekipet e tjera të këtij aktiviteti, teksa ka mundur Skënderbeun, 3-1. 25-22 dhe 25-20 dy setet e para për bardheblutë e Sakos. Reagon skuadra korçare, që ka fituar setin e tretë 25-22. I fundit për Tiranën, 25-17 dhe krejt takimi 3-1.
E shtuna është për gjysmëfinalet e vajzave, në ora 16:00, Skënderbeu – Pogradeci dhe në ora 19:00, derbi Tirana – Partizani.