Barleti Volej-Vllaznia 3-1
(25-21, 23-25, 25-17, 25-21)
Dueli çerekfinal i Fazës Play Off në volejboll për femra, Vllaznia-Barleti, shkon me ndeshje të tretë. Në mesjavë volejbollistet shkodrane të drejtuara nga trajneri Dorjan Tafa fituan ndeshjen e parë të luajtur në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” me rezultatin 3 me 2. Ndërkohë, sfida e dytë çerekfinale e luajtur pasditen e sotme në Tiranë, është fituar nga ekipi i Barleti Volej me rezultatin 3-1.
Kështu që, për të përcaktuar ekipin që do të kualifikohet më tej do të luhet një ndeshje e tretë, që sipas rregullores, duke qënë se në mbyllje të fazës së dytë, Vllaznia ishte e katërta dhe Barleti i pesti, ndeshja e tretë çerekfinale do të luhet të mërkurën e ardhshme, me datë 5 prill në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Sa i takon ndeshjes së sotme të luajtur në kryeqytet, përgjithësisht ka qënë një sfidë e luftuar nga të dyja skuadrat. Për këtë flasin qartë edhe shifrat me diferenca të pakta të seteve, ku përpos të tretit, që u mbyll 25-17 për vendaset, të tjerët ishin mbi kuotën e 20-të pikëve.
Ashtu siç premtoi pas ndeshjes së parë të humbur në Shkodër, 3-2, Skuadra e Universitetit “Marin Barleti” e drejtuar nga trajneri Ermal Gorenxa këmbënguli shumë për ta përmbysur rezultatin humbës në Shkodër, në mënyrë që kualikimi në gjysëmfinale të shkojë me ndeshje të tretë.
Barleti e nis më mirë, teksa fiton setin e parë 25-21, por Vllaznia kundrapërgjigjet duke fituar setin e dytë me shifrat 23-25 duke barazuar rezultatin 1-1 me sete.
Në setin e tretë, Barleti ka një superioritet më të madh teksa e mbyll me fitore, 25-17, ndërkohë që rivaliteti rikthehet përsëri në setin e katërt, aty ku Vllaznia e drejtuar nga trajneri Dorjan Tafa, kërkon fioren për ta çuar ndeshjen me set final. Në të shumtën e rasteve është në kryesim të rezultatit, por pa mundur ta finalizojë me sukses, sepse Barleti fiton 25-21 duke fituar edhe të gjithë ndeshjen, 3-1.