Pallati i sportit “Qazim Dervishi” i qytetit të Shkodrës do të presë nesër një superndeshje të volejbollit të femrave. Bëhet fjalë për çiftin, Vllaznia-Barleti Volej, i treti radhazi në harkun kohor të një jave.
Dy skuadrave në fjalë nuk i mjaftuan dy ndeshjet e para për të marrë biletën kualifikuese të gjysëmfinalistes, pasi të parën në Shkodër e fitoi Vllaznia 3-2, të dytën në Tiranë, Barleti Volej 3-1 duke u barazuar me ndeshje, 1 me 1.
Kësisoj, bazuar në rregulloren e Federatës Shqiptare të Volejbollit, duke qënë se renditja e Vllaznisë është një shkallë më lart sesa e Barletit, skuadra kuqeblu ka të drejtën ta luajë ndeshjen e tretë në fushën e saj.
Kështu, beteja e tretë mes këtyre dy skuadrave, luhet nesër, të mërkurën e 5 prillit në pallatin e sportit, “Qazim Dervishit”, duke filluar nga ora 17:00. Në pritje të kësaj ndeshje, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Dorjan Tafa, zhvilloi pasditen e sotme seancën e fundit stërvitore duke qënë e karikuar në maksimum për sfidën e nesërme.
Skuadra që fiton nesër, shkon në gjysëmfinale, dhe për t’ia arritur këtij qëllimi, presidenti i Vllaznisë, Florjan Zekja, kërkon mbështetjen e tifozërisë shkodrane, pasi sipas tij, volejbollistet e reja shkodrane kanë nevojë për entuziasmin e publikut, sepse sa herë e kanë pasur një gjë të tillë, ia kanë arritur t’ia dalin me sukses.