Volejboll Femra-Sot, ora 17:00, gjysëmfinalja e dytë e Superligës, Vllaznia-Partizani, “Qazim Dervishi”

Vllaznia dhe Partizani në Volejboll për femra, luajnë sot gjysëmfinalen e dytë të Superligës, faza Play-Off. Sfida në fjalë do të luhet në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” duke filluar nga ora 17:00, ku të dyja skuadrat vijnë në këtë ballafaqim të dytë pas ndeshjes së parë luajtur tre ditë më herët në kryeqytet.

Në duelin e parë të luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të Tiranës, Partizani ishte dominues  duke arritur t’i mbyllë të trete setet në favorin e tij. 25 me 19  ishin shifrat e setit të parë, 25-9  i dyti dhe 25-18 i treti, duke fiksuar fitoren e të gjithë ndeshjes me rezultatin 3 me 0.

Në këtë mënyrë, Partizani, vjen sot në Shkodër me avantazhin e fitores së ndeshjes së parë për të kërkuar fitoren e dytë dhe kualifikimin për në finalen e madhe të Kampionatit.

Për volejbollistet shkodrane të drejtuara nga trajneri Dorjan Tafa, sfida e sotme është e një shkalle vështirësie jo të vogël, kur kemi parasysh se përballë do të ketë një Partizan, skuadër e cila është e përforcuar edhe me volejbolliste të huaja duke qënë edhe pretendent kryesor për fitimin e titullit kampion.

Megjithatë, me mbështetjen edhe të tifozërisë shkodrane, e cila pritet të jetë e madhe në numër, Vllaznia do të luftojë fort për të bërë më të mirën në fushën e lojës. Një fitore e sotme e Vllaznisë, bën që dy skuadrat të luajnë një ndeshje të tretë përsëri në Tiranë. Ndërkohë, nëse Partizani fiton edhe në Shkodër, atëherë ai kualifikohet në finale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu