Finalet e fazës Play-Off në volejboll për meshkuj, Vllaznia i ka nisur me duelin e turit të parë duke pasur përballë Skënderbeun e Korçës. Këto dy skuadra u ndeshën edhe të shtunën e kaluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, takim ky që u mbyll me fitoren e Vllaznisë me rezultatin 3-1.
Ndërkohë, edhe takimin e parë eleminator të fazës finale Play-Off, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja e kurorëzoi me sukses, teksa ka fituar në transfertë me rezultatin 2-3.
Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit ”Skënderbeu” të Korçës” ka filluar në mënyrën më të mirë për volejbollistët shkodranë, të cilët fitojnë setin e parë me rezultatin 21-25. Loja e mirë e shkodranëve vijon edhe në setin e dytë, madje këtë set e fitojnë me një diferencë më të madhe pikësh sesa i pari, 19-25.
Me avantazhin e seteve 0-2, Vllaznia duket se është pranë një fitoreve të thellë 0-3, por nuk ndodhë kështu, sepse vendasit kundrapërgjigjen me fitoren e dy seteve të njëpasnjëshëm, sete që mbyllen me të njëjtin rezultat, 19-25.
Ndeshja, kësisoj shkon me set final, ku në të tilla kushte, korçarët kërkojnë që me entuziasmin e suksesit të dy seteve të fituara të vijojnë edhe në të pestin për ta fituar të gjithë ndeshjen.
Por, të këtij mendimi nuk janë volejbollistët shkodranë, të cilët, të udhëhequr nga kapiteni Nikolin Qafaqerena, rikthehen sërishmi në lojën e tyre më të mirë. Dhe, këtë e tregon edhe vetë rezultati, i cili në këtë set të pestë final është 10-15 për Vllazninë, e cila e fiton të gjithë ndeshjen me sete 2-3.
Me këtë fitore të ndeshjes së parë, Vllaznia ka hedhur një hap të rëndësishëm për kualifikimin në turin tjetër. Por, saktësisht, se cila skuadër do të shkojë më tej, e vendos takimi i kthimit që do të luhet, pas tre ditësh, të premten në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës.