Volejboll-Një javë “jo” për volejbollin shkodran. Ekipet e Vllaznisë , femra dhe meshkuj, humbasin në transfertë me ekipet e Teutës së Durrësit

Një javë “Jo” për volejbollin shkodran ka qënë kjo fundjavë, kur dy ekipet e Vllaznisë për femra dhe meshkuj janë mundur nga ekipet respektive të Teutës së Durrësit. Që të dy ekipet kanë qënë mysafirë në qytetin e Durrësit, ku në ballafaqimin që patën në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, i kanë mbyllur takimet me të njëjtin rezultat humbës, 3-1.

Në përballjen e Superligës së femrave, Vllaznia e drejtuar nga trajnerja Nora Deda humb setin e parë 25-22, por në të dytin del fitues me të njëjtin rezultat 22-25 duke barazuar shifrat e seteve në 1 me 1.

Barazimi me sete duket se hapi takimin për t’i dhënë mundësi volejbollisteve kuqeblu të sulmonin fitoren e kësaj ndeshje, e cila ishte mjaft e rëndësishme për to.

Por, edhe pse Vllaznia ecen mjaft mirë deri tek pika e 21-të, një gjë e tillë nuk realizohet, pasi nga ana tjetër, është skuadra vendase që duke qënë më e mobilizuar në fushën e lojës, e mbyll setin e tretë me fitore 25-21.

Vllaznia ka edhe një shans tjetër për të rihapur takimin, që në rast fitorejeve të setit të katërt ta çonte ndeshjen në shtesë, por falë disa gabimeve të shfaqura nga volejbollistet titullare në fushën e lojës, përfiton ekipi vendas, që duke e fituar këtë set 25 me 18 fiton të gjithë ndeshjen me sete 1-3. Humbje kjo që krijon jo pak probleme për Vllazninë e volej femra, ku nga një skuadër që pretendonte fazën Play Off, tashmë pritet të jetë në zonën e Play Out.

Me humbje e kë mbyllur këtë javë edhe ekipi i volejbollit të meshkujve, të cilët ashtu si edhe femrat, kanë luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala të Durrësit duke u mundur me të njëjtin rezultat, 3-1 nga Teuta vendase.

Por, për hirë të realitetit, ndryshe nga ballafaqimi i femrave, rivaliteti tek meshkujt ka qënë më i madh. Një gjë të tillë e vertetojnë edhe vetë përfundimet e seteve, ku i pari mbyllet 25-27-për Vllazninë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja dhe i treti 29-27 për Teutën, e cila teksa ka fituar edhe setin e dytë 25-15 dhe të katërtin 25-23, fiton të gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1.

Ashtu si edhe tek femrat, edhe tek meshkuj, ky sezon ka qënë për t’u harruar, sepse përpos deklaratave për të qënë në katërshen e parë, tashmë në fund të fazës së dytë, ekipi kuqeblu renditet në vendin e gjashtë, që gjithësesi i jep mundësinë të luajë në fazën Play-Off.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu