Sunday, November 24, 2024

Volejboll-Superliga e Femrave/Vllaznia mund Apoloninë 3-1 dhe vazhdon të qëndrojë mes pretendenteve për trofe

Lexo

Pesë ndeshje, katër fitore, ky është bilanci i Vllaznisë në volejboll për femra në këtë fillim të kampionatit të Superligës shqiptare të volejbollit për femra. Fitorja e fundit ishte ajo e realizuar ndaj Apolonisë Fierit, ndeshje kjo e luajtur mbrëmjen e së premtes në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Fitore kjo që e mban skuadrën shkodrane mes skuadrave më të mira të kampionatit që synojnë fitimin e trofeut.

Referuar sfidës së luajtur në Shkodër, nisur nga përbërja e skuadrave, ku dukshëm Vllaznia bënte diferencen në lidhje me elementin që ka në dispozicion, skuadra kuqeblu konsiderohej favorite për fitimin e kësaj ndeshje.

Megjithatë, në fushën e lojës, kjo diferencë, jo vetëm që nuk u pa, por përkundrazi skuadra mike nga Fieri, guxoi të sfidonte Vllazninë vendase duke i rrëmbyer asaj setin e parë me shifrat 23 me 25.

Por, jo vetëm kaq, sepse mikeshat nga Fieri vazhdojnë të luajnë mirë edhe në setin e dytë duke rivalizuar deri në pikën e 22-të, pasi më pas, është Vllaznia që tregohet më e saktë në pikët vendimtare duke e mbyllur setin e dytë në fitim të saj, 25-22.

Beci, kapitene e skuadrës, Kiri, Hasku, Kuçi, Picaku, Zhivani, Bardeli, Tuci Koçeku, Ballçiti, së bashku me më të rejat, Erkoçi, Mikopli, motrat Kodra, të udhëhequra nga trajneri Tafa, janë krejt ndryshe në setin e tretë, teksa e fitojnë atë me rezultatin 25-14.

Fitimi me lehtësi i setit të tretë që i jep Vllaznisë avantazhin me sete 2 me 1, të duket se i ka krijuar një terren të lirë për të fituar me lehtësi setin e katërt dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin 3 me 1.

Në fakt, Vllaznia e fitoi setin e katërt, por për të mbërritur deri tek pika e 25-të iu desh, jo pak mundë. Dhe, për këtë meritë ka skuadra fierake, e cila, me lojën plot shpirtë luftarak, ia bëri të vështirë Vllaznisë për të mbërritur tek fitorja e setit të katërt me shifrat 25-20, dhe e të gjithë ndeshjes me sete 3-1.

Një fitore kjo, plotësisht e merituar për Vllazninë, por që nga ana tjetër, përgëzimet më të mira për skuadrën fierake, e cila nën drejtimin e trajnerit Albert Kozmai bëri një përformancë jashtë mase pozitive.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img