Dy muaj më herët, ekipi i volejbollit të djemve të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, u shpall kampion në garën e Kampionatit Kombëtar të Universiteve të Shqipërisë. Një titull ky i fituar me mjaft meritë, i cili e kualifikoi ekipin e universitarëve të Shkodrës për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Universiteteve.
Në këtë mënyrë, ekipi shkodran i drejtuar nga trajneri i mirënjohur i Vllaznisë në volejboll meshkuj Artan Kalaja, pedagog pranë këtij universiteti dhe kolegu i tij, Fatjon Nurja, President i Shoqatës Sportive të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, sot është nisur drejt Hungarisë, ku nga datat 27 korrik- 4 gusht do të zhvillohet në Budapest aktiviteti në fjalë.
Në përbërje të ekipit universitar të Shkodrës bëjnë pjesë studentë-sportistë të njohur që luajnë me sukses me ekipin e Vllaznisë. Ndaj, edhe synimi i këtij ekipi është padyshim që të bëjë një paraqitje sa më e mirë në mes ekipeve të Universiteteve nga të gjithë vendet e Europës duke pasur objektiv futjen në zonën e medaljeve.
Përbërja e ekipit përfaqësues të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në volejboll meshkuj, konkures në Kampionatin Europian të Universiteteve-Hungari:
Gersi Jula, Visar Lleshi, Gilman Talani, Enid Daniku, Sead Durro, Sidorel Pepaj, Dyljan Sinanaj, Arjan Hotaj, Muharrem Deliu, Erni Arapi. Trajner: Artan Kalaja dhe Fatjon Nurja. Në përbërje të delegacionit sportiv universitar shqiptar është edhe Mikaela Mhilli, Kordinatore e e FSHSU(Federata Shqiptare e Sportit Universitar)