Mungesa e Liridon Latifit në procesin stërvitor gjatë ditëve të fundit ka lënë shteg për interpretime nga më të ndryshmet, deri aty sa në opinionin sportiv shkodran e më gjërë ka pasur edhe zëra të tillë që kosovari është drejt largimit nga Vllaznia.
Një gjë e tillë, gjithnjë nga ajo e cila komentohet në publik, vjen nga ofertat që Latifi ka për të luajtur në ekipet jashtë vendit, apo edhe deri aty sa aludohet që Vllaznia nuk i ka financat e duhura për ta paguar Latifin.
Për Latifin, dha një sqarim të shkurtër trajneri Mirel Josa në momentin e nisjes për në Austri, ndërkohë në vijim është edhe presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferi që flet për këtë temë.
“Nuk ka asnjë çështje “Latifi”. Futbollisti ka qënë prej disa ditësh i prekur nga Covid 19, ndaj sipas rregullave shëndetësore është dashur që ai të karantinohet duke qëndruar i ngujuar në banesën e tij, në Prishtinë. Krahas mjekëve kosovare, një kujdes special për rikuperimin e tij ka dhënë edhe stafi mjekësor i Vllaznisë, i cili i është gjendur vazhdimisht pranë futbollistit me shërbimet në shtëpinë e tij. Fatmirësisht, gjendja e tij tashmë është drejt përmirësimit, dhe ju garantoj se ditën e diele, Latifi do t’i bashkohet skuadrës në kampingun stërvitor të Austrisë”, thotë për Veriu Sport, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.
Sqarimi në fjalë i bërë nga numri një i klubit kuqeblu, Albana Xhaferi, tregon qartë, se nuk ka asnjë çështje “Latifi” që përflitet për ndonjë largim të mundshëm nga skuadra. E vetmja çështja është që Latifi ishte i prekur me Covid 19, dhe tashmë që janë edhe ditët e fundit të karintinimit, ai është shëruar plotësisht duke rezultuar negativ në analizat e dyta dhe të dielen mbërrin në Austri për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Mirel Josa në përgatitjet për ndeshjet europiane të Europa League.