Zhgënjen Erzeni. Pas humbjes në Shkodër, shijakasit lënë pikë edhe ndaj Kastriotit në “Niko Dovana”

Erzeni-Kastrioti  0-0

Diçka nuk shkon në radhët e shijakasve. Pas humbjes në transfertë me Vllazninë, 3-1, Erzeni barazon në shtëpi 0-0 me Kastriotin duke mos provuar shijen e fitoreve prej katër javësh. Me këto pikë të humbura, Erzeni jep sinjale të largimit nga zona Europiane. Një objektiv ky që në fakt, tekniku Xhevahir Kapllani, e ka mohuar ta ketë pasur skuadra e tij. Megjithatë, duke parë ecurinë e suksesshme në periudhën e mëparshme, tifozëria shijakase, është ushqyer me të duke ëndërruar që të bëhet realitet.

 

45 minutat e para janë paraqitur disi të vakët, me shumë gabime në mesfushë e pak për të entuziasmuar publikun në shkallët e stadiumit. Mund të përmendet vetëm tentative e Osmanllarit, në minutën e 38-të me mbrojtjen krutane që spastroi zonën. Ndërsa në të dytën Erzeni mori frenat e lojës, por pa arritur të gjente golin. Në minutën e 59-të Ademi lëvizi mirë në zonë, por goditja e tij u bllokua nga Hasani. Megjithatë, mundësia më e mirë për Erzenin do të vinte në minutën e 71-të, kur goditja e Enk me kokë gjen të përgatitur portierin Sali që me devijimin e tij, bën që topi të përplaset në shtyllë, e me Kapllanin që nuk i jep kuadrat goditjes së tij.

Përfundimisht, 0-0 duke e lënë Erzenin në vendin e pestë në kuotën e 38 pikëve. Ndërkohë, edhe pse fitorja do të ishte idealja për Kastriotinm në kampin krutan, ky barazim, mund t’i japë disi frymëmarrje Kastriotit, me shpresën për të mbijetuar në Kategorinë Superiore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu