Entuziasmi i fitores së merituar në javën e parë ndaj kampiones Egnatia, krijoi përshtypjen se Vllaznia dha sinjalet e një skuadre të pamposhtur. Madje, duke qëndruar në këtë atmosferë, duke pritur të kalohej me sukses edhe Dinamo në javën e dytë, tifozëria shkonte deri aty sa bënte plane për ta ndezur stadiumin “Loro Boriçi” në sfidën e javës së tretë, Vllaznia-Partizani.
Por, planet ia prishi Dinamo, e cila e mundi lehtësisht duke i shënuar tre gola, ndërkohë që shpërdoroi edhe shumë raste të tjera shënimi. Gola këto, por edhe rastet e humbura dinamovite, që duhen analizuar me kujdes nga stafi teknik, pasi, secili prej tyre paraqet një problematike më vete.
Një Vllazni, e cila me përjashtim të fillimit të pjesës së dytë, e cila për hirë të së vertetes ishte mjaft e mirë për kuqeblutë dhe me disa raste të njëpasnjëshme shënimi, pjesa tjetër paraqiti një Vllazni me probleme, papërjashtim në të gjithë repartet e saj.
Goli i vetëm i shënuar në shtesë nga kapiteni Bekim Balaj, është shumë pak, gjë që u vu re edhe nga vetë Balaj që nuk iu gëzua fare asaj rrjete, edhe pse në fakt, interpretimi i goditjes me kokë ishte model, po aq sa edhe krosi i përpiktë i dhënë nga Hakaj në fundoren e majte.
Kjo Vllazni e përballjes së sotme me Dinamon është larg asaj që pret tifozëria shkodrane. Ndaj, nëse nuk rregullohen disa gjëra, do ta ketë shumë të vështirë të ecë me hapin e pretendentes për titull përballë skuadrave të tjera rivale, të cilat kanë dhënë sinjale ndryshe në këtë fillim kampionati.
Nga ana tjetër, Dinamo, tregoi edhe një herë, që edhe pse i janë larguar futbollistë me peshë të formacionit, në skuadër ka emra të tjerë titullarësh potent, duke nisur nga Devi Bregu, portjeri Teqja, etj, të cilët pas ecurisë pozitive në Kupat e Europës, tashmë është përqëndruar tek kampionati, si një nga pretendentet serioze për ta fituar atë.