Erzeni-Vllaznia 1-0(Shënues: Alan Calbergue 23’
E shtunë, 20 gusht 2022, stadiumi “Niko Dovana”-Durrës
Erzeni: Xhika, Iljazi, Sadiki, Krasniqi (Troplini 61’), Peposhi, Mehmeti, Osmanllari, Calbergue (Enck 71’), Kahrimanoviç, Kadriu, Avdiu (Goga 88’) (në dispozicion: Hasanbelli, Doksani) Trajner: Xhevahir Kapllani
Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Shehi, Juriç, Hakaj, Jonuzi (Kruja 85’), Boshnjaku, Marku (Vulaj 46’), Hoxhaj, Latifi, Nunesh (Çoba 64’) (në dispozicion: Qarri, Smajli, Heriç, Pjeshka, Alivoda, Spahija) Trajner: Mirel Josa
Gjyqtarë: Kreshnik Cjapi, Ilir Tartaraj, Orges Grabova. VAR: Ardian Beqiraj, AVAR: Dojando Myftari
Vllaznia e nis në mënyrën më të keqe Kampionatin e 84-t Kombëtar të futbollit. Në javën e parë të Abissnet Superiore, kuqeblutë luajtën në transfertë me Erzenin e Shijakut, skuadrën debutuese, e cila rikthehet në kategorinë Superiore pas 19 vitesh mungesë. Përpos kësaj, shijakasit kaluan probleme të shumta organizimi, deri aty sa skuadra u shkri duke deklaruar mospjesëmarrjen në Superiore, dhe vetem në javën e fundit pati një riorganizim të shpejtë të klubit duke formuar skuadrën, me të cilën doli në fushë kundër Vllaznisë.
Nga ana tjetër, kemi një Vllazni, e cila vinte në cilësinë e fitueses së Kupës së Shqipërisë, me një fazë përgatitore model në Austri, pjesëmarrje në Conferencë League, merkato cilësore dhe minifazë tjetër në Pogradec. Një Vllazni e deklaruar me të drejtë si pretendente kryesore për titullin kampion.
Por, edhe pse me këto diferenca në kampet kundërshtare, fusha e lojës tregoi krejt të kundërtën. Erzeni fitoi me rezultatin 1-0 falë atij goli mjeshtror realizuar nga Alan Calbergue në minutën e 23-të nga një goditje standarte në distancë duke gjetur të papërgatitur portjerin Zogoviç. Një tre pikësh ky i merituar për skuadrën shijakase, e cila falë luftës plot shpirt në fushën e lojës, sidomos në pjesën e parë ishte dominuese.
45 minutat e dyta folën ndryshe për Vllazninë, e cila edhe me ndërrimet e bëra nga tekniku Josa, e rriti nivelin e lojës, por përsëri shumë larg asaj që kërkohet nga kjo skuadër, në gjirin e së cilës ka individualitete me peshë në futbollin shqiptar. Minutat e fundit, dhe sidomos ato të shtesës, kur e gjithë skuadra u lëshua në portën kundërshtare, të paktën për të shënuar golin e barazimit, ishin shumë pak për Vllazninë në këtë ndeshje.
Vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit kryesor Kreshnik Cjapi fikson rezultatin 1-0 për Erzenin. Festë në kampin shijakas, dhe zhgënjim në atë shkodran, e sidomos keqardhje për për ato tifozë të shumtë kuqeblu që ishin të pranishëm në stadiumin “Niko Dovana” duke mbështetur fuqishëm skuadrën gjatë të gjithë ndeshjes.
Një humbje kjo, dhe për më tepër edhe loja e dobët që paraqiti skuadra në fushën e lojës, është një këmbanë alarmi për stafin teknik dhe drejtuesit e klubit për vazhdimësinë e Vllazninë në këtë sezon futbollistik.
Gaspër MARKU
Durrës, 20 gusht 2022