Teuta dhe Partizani kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, përfundoi me shifrat 2-2. Pas këtij dueli ka folur zv.trajneri i Partizanit, Realf Zhivanaj.
“Deri diku kemi bërë një ndeshje të mirë, bëmë dy gola, rrezikuam edhe të 3-tin. Punuam edhe me standardet, pasi Teuta ashtu ka shënuar. Por centimetrat që na mungonin, bënë diferencën. Ndeshja me Vorën ka qenë një ditë jo, sot nuk ishte njësoj. Kemi poseduar topin. Manovra ishte e tillë për t’i lënë pak hapësira Teutës për topat e gjatë dhe të shfrytëzonim tranzicionin pozitiv me Skukën, por nuk rezultoi e suksesshme.
Manovra ishte e tillë përderisa uingerat ishin me këmbën e kundërt dhe e kishin të lehtë të godisnin portën. Martinez ka bërë një ndeshje të mirë pavarësisht golave, është diferenca e centimetrave. Kaq ishte maksimumi për sot. Në mbrojtje nuk ka diçka që nuk shkon, do zgjidhet në vazhdim”, tha Zhivanaj.


