Thursday, September 19, 2024

Zyrtare-Adma Mikopula, firmos për Skënderbeun. Volejbollistja e talentuar shkodrane për dy vite është pjesë e skuadrës kampione të Shqipërisë

Lexo

Merr fund ankthi i volejbollistes shkodrane, Adma Mikopula. Pas problemeve që kaloi me Shoqatën e Volejbollit Vllaznia për femra, e cila nuk preferoi ta përfshinte këtë sezon sportiv në listën e lojtareve të ekipit të parë, fatin e së ardhmes së saj volejbollistja e talentuar shkodrane kërkoi ta gjente dikund tjetër.

Nën kujdesin e familjes së saj, personalisht të babait të saj, ish volejbollistit dhe ish trajnerit të njohur të Vllaznisë, Adrian Mikopula, mes disa kërkesave që kishte nga ekipet e kampionatit shqiptar, Adma vendosi që të jetë pjesë e skuadrës kampione në fuqi, Skënderbeut të Korçës.

Nga sa bëhet e ditur, Adma prej dy ditësh është stërvitur në pallatin e sportit “Skënderbeu” nën drejtimin e trajnerit Orlando Koja. Edhe pse konkurenca për një vend të rolit të pasueses në skuadrën korçare ka qënë jo pak e vogël, stafi teknik ka vendosur që 15 vjeçarja e talentuar shkodrane të jetë pjesë e tyre në rolin e pasueses së dytë me ekipin e Skënderbeut.

Firmosja me skuadren kampione të Shqipërisë është një arritje jo e vogël për shkodranen Adma Mikopula, e cila përpos të tjerave, duke u stërvitur me një staf profesionist dhe përkrah volejbollisteve të njohura korçare, por edhe atyre amerikave që luajnë me këtë skuadër, pritet të kalojë një përvojë jashtëzakonisht të mirë për të ardhmen e saj.

Në këtë mënyrë, data 2 tetor, kur Vllaznia dhe Skënderbeu në volejboll për femra do të takohen në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për javën e dytë të kampionatit të Superligës në volejboll femra, pritet të shopërohet me emocione të shumta për Admen që do të luajë kundra skuadrës ku u rrit si volejbolliste. Por, në të njëjtën kohë, emocionet janë edhe për volejbollistet shkodrane që do të kenë përballë bashkëqytetaren e tyre. Një ndeshje, që krahas të tjerave, ia vlen për t’u parë, pasi kampionet në fuqi të Skënderbeut të Korçës të drejtuar nga trajneri Roland Koja do të provojnë forcën e Vllaznisë, e cila sivjet nën drejtimin e trajnerit Besnik Lisha është deklaruar si skuadra kryesore për fitimin e titullit kampion.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img