Edhe pse prej ditësh kishin lajmëruar firmën me disa lojtarë te Tirana vetëm sot kanë vendosur se kush do të jetë trajneri për sezonin 2025-2026. Vangjel Mile mësohet të ketë firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin me të cicilin është mjaft familjar pasi më parë ka mbuluar postin e Drejtorit Teknik të Akademisë së Futbollit Tirana.
“Njohja e thellë me strukturat e klubit, filozofinë bardheblu dhe modelin e funksionimit të Akademisë i japin trajnerit Mile avantazhin për të ndërtuar një urë të natyrshme mes të rinjve dhe ekipit të parë. Objektivi i tij do të jetë jo vetëm rikthimi i skuadrës në krye të futbollit shqiptar, por edhe integrimi i elementëve të rinj me potencial, në përputhje me identitetin historik të KF Tiranës.
Mile është i njohur për qasjen e tij moderne ndaj stërvitjes, disiplinën taktike dhe aftësinë për të ndërtuar grupe të balancuara me frymë kolektive të fortë. Eksperienca e tij si strateg dhe drejtues teknik e bën zgjedhjen ideale për një projekt të qëndrueshëm dhe ambicioz”, thuhej në njoftimin e bërë publik nga ekipi bardheblu. “E ndjej veten pjesë të kësaj shtëpie dhe e marr këtë përgjegjësi me përulësi, por edhe me shumë besim. Njoh vlerat dhe pritshmëritë e këtij klubi dhe jam i përkushtuar të punoj çdo ditë për të çuar përpara emrin dhe objektivat e KF Tiranës”, tha Mile gjatë prezantimit.