Vllaznia e Shkodrës në futboll për femra në cilësinë e skuadrës kampione të Shqipërisë ka nisur nga përgatitjet për pjesëmarrjen në “UEFA Women Champions League”. Pasditen e së dieles, futbollistet kuqeblu janë shfaqur në tapetin e gjelbërt të stadiumit “Reshit Rusi” duke zhvilluar seancën e parë stërvitore.
Siç shikohet edhe në foto, në seancën stërvitore të sotme, i gjithë kontigjenti i futbollisteve është i pajisur me teknologjinë “Fitogether”, sistem GPS për rritjen e performacës sportive. Një investim ky bashkëkohor në drejtim të skuadrës, i cili do të jetë një ndihmës më tepër për stafin në rritjen dhe përmirësimin e treguesve fizik të futbollisteve.
Për tu theksuar është se në prag të ndeshjeve europiane, presidenti i Vllaznisë në futboll femra, Lazër Matija, ka bërë realitet përforcimin e premtuar të skuadrës me katër futbolliste cilësore, dy amerikane, një nga Kosova dhe një nga Mali i Zi.
Ato janë, portjerja Clure Megan dhe sulmuesja Patterson Tarah Lynn, që të dyja 23 vjeçare që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sulmuesja tjetër Jehona Shala që vjen nga kampionati kosovar, si dhe mbrojtësja e qëndrës, malazezja 24 vjeçare, Maja Saranoviç.
Që të katër këto futbolliste kanë qënë sot në përbërje të grupit kuqeblu që po stërvitet në “Reshit Rusi” nga trajneri Nikolin Leka dhe kolegu i tij, Fabiol Rexhepi.
Në bazë të shortit të hedhur muajin e kaluar në Nyon të Zvicrës për turin e parë të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll për femra, Vllaznia bën pjesë në grupin e dhjetë eleminator ku janë tre skuadra. Skuadra kuqeblu ka qënë me fat ku në bazë të koeficentit më të lartë që ka në raport me kundërshtaret e saj FK Breznica e Malit të Zi dhe Spartak Myjava e Sllovakisë kalon direkt në finalen e këtij grupi.
Sipas kalendarit të UEFA-s, grupi i dhjetë do t’i luajë ndeshjet në Malin e Zi nga data 18 deri me 21 gusht 2022. Skuadra kuqeblu është pushim në raundin e parë dhe pret fituesen e çiftit FK Breznica dhe Spartak Myjava për të diskutuar me të ekipin që do të kualifikohet në turin tjetër për të vijuar konkurimin mes 32 skuadrave më të mira europiane.