Monday, November 25, 2024

Mbyllet java e 6 e Abissnet Superiore/ Tirana-Partizani 1:0. Derbi kryeqytetas fitohet nga bardheblutë, që kryesojnë të vetëm kampionatin

Lexo

Abissnet Superiore ka mbyllur të hënën në mbrëmje javën e 6-të të saj dhe Tirana është shkëputur sërish në krye të renditjes, pasi ka mundur Partizanin 1-0. 11-metërshi i Limajt në minutash shtesë së pjesës së parë ka bërë që derbi i 189-të i kryeqytetit të ngjyroset bardheblu.

Derbi i 189-të i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit, që ka mbyllur të hënën në Stadiumin “Arena Kombëtare” javën e 6-të të Kategorisë Superiore, ka nisur praktikisht i zjarrtë, pasi menjëherë me fillimin e lojës, ndeshja ndalet ndeshja për shkak të hedhjes së flakadanëve në fushë. Kapitenët e skuadrave vijojnë t’u drejtohen tifozerive përkatëse që situata të qetësohet dhe pas rreth 5 minutash ndërprerje dhe pasi tymi do të davaritet, ndeshja më në fund rifillon nga gjyqtari Eldorjan Hamiti.

Loja në përgjithësi në vijim ka qenë në nivelin mesatar dhe, ndërsa gjuajtja e parë drejt portës për Partizanin është e Muratajt në minutën e 9-të, Tirana provon 6 minuta më pas me 3 gjuajtje radhazi drejt portës, por topi nuk e gjen rrugën e rrjetës. Gjysmëora e mbetur e 45 minutave të para do të dhurojë një lojë të mbetur të luftuar në mesfushë, me duele dhe nervozizëm dhe me gjysma rastesh që nuk u ngritën dot mbi nivelin mesatar të rrezikshmërisë.

Vetëm në minutën e 37-të, ndizet sirenat e alarmit në portën bardheblu. Bekaj gabon në daljen e tij dhe Filipoviç me kokë devijon topin, duke e drejtuar në portë. Mbrojtësit bardheblu devijojnë para kalimit të vijës fatale. Jepen 6 minuta shtesë dhe, pikërisht në fund tyre, është Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos që gjykon se Belica kishte ndërhyrë në mënyrë të parregullt ndaj Tolit në zonë dhe ka 11-metërsh.

Godet Limaj dhe mposht Hoxhën dhe Tirana e mbyll pjesën e parë në epërsi. Pushimi i madh i ndeshjes i ka parë dy skuadrat të rikthehen në fushë duke vijuar të shpalosin atë tablo të shumicës së pjesës së parë, me një lojë të ngjeshur, të luftuar kryesisht në mesfushë, me Tiranën të kënaqur të administrojë epërsinë minimale duke u përpjekur më tepër të shkatërrojë lojën e Partizanit sesa të mendojë për të shënuar të dytin.

Në krahun tjetër, të kuqtë e kryeqytetit janë të pazotë për të thyer qëndresën e bardhebluve dhe goditjet e para drejt portës së Bekajt do të vijnë vetëm në 9 minutat e fundit të kohës së rregullt, kjo edhe pasi trajneri Ilir Daja ka bërë 4 ndërrime njëkohësisht.

Ndonëse bardheblutë e mbyllin ndeshjen me 10 lojtarë, pas daljes nga loja të Najdovskit, që merr në fund kartonin e dytë të verdhë, Tirana mund Partizanin 1-0 dhe korr fitoren e 56-të në derbin e madh të kryeqytetit, duke u shkëputur sërish në krye të renditjes, në kuotën e 14 pikëve.

Rezultatet e javës së 6-të: Kastrioti-Laçi 0-1, Egnatia-Teuta 0-1, Kukësi-Vllaznia 2-0, Skënderbeu-Dinamo 0-1, Tirana-Partizani 1-0.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img