Vllaznia U15-Apollo 2016(U15), 1-1(Shënues: Ased Belisha 16’/ Dario Veliaj 32’)
Një ndeshje rivalësh për vendin e dytë të Superligës së Futbollit, kategoria U15 mes Vllaznisë dhe FC Apollo 2016 është zhvilluar mesditën e së dielës në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës.
Miqtë nga Fieri me 16 pikë në vendin e dytë dhe Vllaznia vendase me 15 pikë regjistruan një barazim 1 me 1 duke lënë në fuqi pozicionet që kishin më herët, por tashmë Apollo e drejtuar nga trajneri Nerton Fejzulla me 17 pikë dhe Vllaznia me 16, e ndjekur nga Teuta me 15 pikë e cila këtë javë mundi KF Shkodra me rezultat të thellë 8-1. Ndërkohë, në krye të renditjes qëndron Tirana, e cila duke fituar sot derin me Partizanin 1-0 ngjitet në kuotën e 24 pikëve.
Ajo që vlen të theksohet është se ndeshja në fjalë u zhvillua në një terren të rënduar në reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë së dielës në qytetin verior, por duke mos u bërë pengesë që lufta e fortë sportive për të dy ekipet kundërshtare të ishte e pranishme në fushën e lojës.
Referuar kronikës së lojës, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 16-të përmes Ased Belishës, djalit të ish futbollistit dhe trajnerit të AF Vllaznia Amarildo Belisha.
Avantazhi i Vllaznisë U15 qëndron në fuqi deri në minutën e 32-të pjesë së parë, atëherë kur Dario Veliaj shënon për skuadrën mysafire nga Fieri duke e barazuar rezultatin në 1 me 1.
Barazim ky që mbyll pjesën e parë, ndërkohë që e dyta vazhdon me pot ë njëjtën luftë sportive ku të dyja skuadrat janë në kërkim të golit të avantazhit.
Vllaznia është më afër fitores kur gjyqtari kryesor i takimit Ditmir Grimci akordon penallti për kuqeblutë.
Nga sa mësohet, trajneri Doçi kishte të përcaktuar më herët, që përpara ndeshjes, që nëse ka penallti, atë do ta gjuajë kapiteni Bjordi Planaj, por goditjen nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit e merr përsipër sulmuesi Skerdi Skyfera.
Penallti, e cila shpërdorohet nga Vllaznia, edhe për meritë të portjerit të Apollo 2016 Petrit Taraj që e pret në pozicion gjuajtjen e sulmuesit shkodran duke lënë në fuqi rezultatin 1-1, barazim ky që mbyll të gjithë ndeshjen.
(Video) Pamje nga ndeshja e Superligës së futbollit të moshave U15, Vllaznia-Apollo 2016, barazim 1-1, e luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” Shkodër, si dhe prononcimet e dy trajnerëve Edmond Doçi(Vllaznia) dhe Nerton Fejzulla( FC Apollo 201), mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


