Sunday, September 22, 2024

Problemet tek Vllaznia-Presidenti Alban Xhaferri transmeton qetësi: Rezultatet do të vijnë

Lexo

Tri ndeshje pa fitore në Abissnet Superiore(një barazim dhe dy humbje), një situatë aspak e mirë për skuadrën e Vllaznisë, që në këtë sezon pretendon maksimumin. Mungojnë rezultatet, por kjo nuk e pengon aspak presidentin e kësaj skuadre, Alban Xhaferri të shikojë me optimizëm drejt së ardhmes. Në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH Sport, presidenti i kuqebluve është shprehur:

“Ky kampionat është i fortë, asnjë skuadër nuk duhet nënvlerësuar. Gjatë këtyre javëve nuk jemi të kënaqur, sepse nuk kemi rezultatet. Ka disa diskutime të brendshme, por është vetëm fillimi, diferencat nuk janë të mëdha. Vllaznia është në fazën e kolaudimit, ndoshta nuk kemi atë organizimin e duhur. Vllaznia do ketë kohën e duhur dhe do ketë rezultatet e duhura”.

“Secila ndeshje ka veçorinë e saj, por ndoshta te ndeshja e Kukësit mund të kishim marrë më shumë. Na munguan golat, por jo loja. Sigurisht që nuk jemi të kënaqur, unë nuk jam i kënaqur me rezultatet, por kjo nuk do të thotë se lojtarët nuk janë përpjekur. Gjithsesi, unë jam optimist, rezultatet do të vijnë”.

“Fushat e stërvitjes në Shkodër janë problematike. Jam dakord me deklaratën e Brdariç për infrastrukturën. Gjithsesi, ka projekte, ka plane për të përmirësuar kushtet e stërvitjes. Nga ana tjetër, trajneri është pjesë e këtij realiteti, kemi një vit e gjysmë me këto kushte, ne këtu jemi dhe po mundohemi të bëjmë më të mirën. Trajneri është pjesë e jona, e ka kuptuar realitetin, e ka pranuar këtë, trajneri duhet të punojë për të arritur rezultatet. Diskutimi për infrastrukturën mendoj se është një justifikim. Rezultatet janë të rëndësishme për trajnerin dhe për të gjithë ne”.

“Latifi? Është pjesë e rëndësishme e Vllaznisë, është një nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. Mendoj se e ka kuptuar se ka bërë një veprim të nxituar. Ai është një lojtar shembullor, qëllimi jonë nuk është që të kalojmë te masat ekstreme”.

“Tifozët? I kuptoj emocionet e tyre, por nuk ka asnjë qëllim për të ndryshuar stafin apo trajnerin. Ka diskutime të brendshme sigurisht. U kërkoj tifozëve që të kenë durim, sepse çdo ekip ka momente jo të mira. Ne do punojmë dhe do luftojmë për të arritur ato objektiva që i kemi vënë vetes”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img