Sunday, November 24, 2024

Vllaznia dhuron spektakël në kryeqytet, mund kampionen Partizani 2-3/Volejboll-Superliga e Femrave

Lexo

Partizani-Vllaznia 2-3

(23-25, 18-25, 25-17, 25-16, 16-18)

Vllaznia në volejboll për femra ka bërë më të mirën e saj në ndeshjen e javës së gjashtë të Superligës së volejbollit shqiptar teksa ka mundur brenda në kryeqytet Partizanin. Vlera e kësaj fitoreje merrë vlerë akoma më shumë kur kemi parasysh se Vllaznia ka sfiduar ekipin kampion në fuqi si dhe njërin nga pretendentet për fitimin e titullit kampion.

Ndeshja e luajtur në sallën sportive të Farkës është shoqëruar me një luftë të fortë sportive, ku rivaliteti mes dy skuadrave ka dhuruar spektakël duke marrë me të drejtë duatrokitjet e tifozërisë së pranishmëve.

Natyrisht, që meritë në spektaklin e dhuruar ka patjetër skuadra kuqeblu, e cila ashtu siç deklaruan një ditë përpara ndeshjes në konferencen për shtyp, trajneri Dorian Tafa, volejbollistja titullare Lorena Picaku dhe trajnerja e përgatitjes atletike, Ankela Cara, është futur në fushën e lojës e mobilizuar për të marrë fitoren.

Një set i parë me shumë emocione, ku vetëm në dy pikët e fundit, janë volejbollistet shkodranë që vulosin rezultatin 23-25 në fitim të tyre. Entuziasmi i fitores së setit të parë e rritë akoma më shumë besimin tek skuadra kuqeblu, e cila në setin e dytë është e papërmbajtshme, gjë që e vertetojnë shifrat 18 me 25 në fitim të saj.

0 me 2 për Vllazninë, e cila ka shtangur skuadrën vendase, Partizanin kampion në fuqi, i cili në vijim bën të pamundurën për të evituar një humbje të thellë 0-3. Dhe, ia arrin qëllimit kur fiton jo vetem setin e tretë, por edhe të katërtin, respektivisht me shifrat 25-17 dhe 25-16.

Barazim 2 me 2 me sete, dhe kështu për të përcaktuar fituesin duhet të luhet seti i pestë final. Një set që për hirë të së vertetes përfshiu në emocione të shumta të dy kampet respektive, por njëherazi edhe tifozëritë e tyre përkatëse.

Kur, po shkohej drejt pikës së 15-të që fikson fituesin, vjen barazimi 14-14 që futë në fuqi pikët shtesë.

Sërishmi barazim, 15-15 dhe 16-16. Ndërkohë, që dy pikët e fundit, të cilat fiksojnë ekipin fitues shkojnë tek Vllaznia, që për hirë të realitetit, ishte skuadra më e mirë në këtë ndeshje duke marrë një fitore plotësisht të merituar të setit 16-18 dhe të gjithë ndeshjes me sete 2 me 3.

Fitorja e pestë në gjashtë javë kampionat duke e mbajtur Vllazninë në pozitat e kryesueses së kampionatit, është dëshmi e një pune tejet serioze që po bëhet me këtë ekip, i cili me sa duket ka marrë përsipër të jetë lidër i këtij kampionati.

Merita e këtij suksesi shkon për protagonistet e fushës së lojës, Beci, kapitene e skuadrës, Kiri, Hasku, Kuçi, Picaku, Zhivani, Bardeli, Tuci, Koçeku, Ballçiti, Erkoçi, Mikopli, motrat Kodra trajnerët Tafa, Bardeli, Cara, dhe padyshim edhe për presidentin e shoqatës së volejbollit Vllaznia për femra, Florian Zekja, ai i cili duhet konsideruar si strategu i ndërtimit, jo vetem të skuadrës së parë, por edhe të ekipeve zinxhir, U-20, U-18 dhe U-16, duke qënë i vetmi klub që përfaqësohet në kampionat me katër ekipe, gjë kjo që garanton vazhdimësinë e furnizimit me element cilësor të ekipit të parë.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img