0-2 ka përfunduar ndeshja mes Vllaznisë vendase dhe Minsk(Bjellorusi), takim ky i luajtur sot pasdite në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke e mbyllur aventurën e saj europiane. Sfida në fjalë ishte e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll për femra, ku sipas rregullores së pandemisë ishte një takim i vetëm për të përcaktuar ekipin kualifikues në turin e tretë. Këtë të drejtë e ka merituar kampionia bjelloruse, e cila e mposhti Vllazninë në shtëpinë e saj me dy gola të shënuar në secilen pjesë loje. Fillimisht ishte Sas, që në minutën 34, duke përfituar një rreshtim jo i mirë i mbrojtjes kuqeblu e kalon në avantazh skuadrën mike. Ndërkohë, goli i dytë do të vinte në fundin e takimit, pikërisht në minutën 84 me autore Karlanova duke vulosur rezultatin 0 me 2 të skuadrës mike.
Humbja në fjalë ka lënë një shije aspak të mirë në kampin kuqeblu, kur realisht, bazuar edhe në përvojën pozitive disa vjeçare të pjesëmarrjeve në kompeticionin europian, të gjithë ishin të bindur që Vllaznia do ta kalonte këtë tur. Por, krahas të tjerave, një ndikim jo të vogël në këtë humbje patën edhe disa probleme që e shoqëruan skuadrën kuqeblu, para dhe gjatë ndeshjes. Ato filluan me mungesën në stol të trajnerit të parë, Nikolin Leka, por edhe të portjeres Berhami, të cilët vetem pak orë përpara ndeshjes u informuan se janë të infektuar me Covid-19 duke qënë kështu të detyruar të braktisin skuadrën për t’u karantinuar për një periudhë dy javore. Ndërkohë, goditja tjetër edhe më e madhe ishte dëmtimi në minutat e para të ndeshjes të futbollistes më të mirë në formacionin kuqeblu, qëndërmbrojtjes Arbiona Bajraktari, ajo që shënoi golin e barazimit në kohën shtesë të sfidës së mëparshme me kampionen e Turqisë.
Megjithatë, Vllaznia e drejtuar në këtë ndeshje nga zv.trajneri Arben Parmeza krijoi volum loje duke ushtruar edhe presion në portën kundërshtare, por pikërisht, në momentet më kryesore kur i duhej dhënë goditja përfundimtare topit drejt rrjetës kundërshare, mungonte qartësia në veprime duke shpërdoruar mundësi të arta shënimi. Futbollistet kuqeblu nuk arritën të shfrytëzonin edhe epërsinë numerike në fushën e lojës, kur sulmuesja kundërshtare Sas, autore e golit të parë në portën tonë, u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 54-tërt duke e lënë skuadrën mike me 10 futbolliste në fushë.
Përfundimisht 0 me 2 në favor të bjelloruseve të Minsk, të cilat kalojnë turin e dytë duke u kualifikuar tashmë në raundin 1/16-ve të Ligës së Kampioneve. Zonë në të cilën mbërriti edhe Vllaznia sezonin e kaluar duke qënë skuadra e parë shqiptare që futej në grupin e 32 skuadrave më të mira europiane, por që këtë vitë, kur pritshmëritë ishin më shumë se asnjë herë tjetër për ta përsëritur këtë sukses, u ndëshkua në fushën e saj nga kmpionia e Bjellorusisë.
Dhe, në mbyllje, edhe diçka që ka të bëjë sërishmi me ndeshjen. Pas mbylljes së takimit Vllaznia-Minsk, pati zëra të shumtë për një gabim teknik në lidhje me kartonët e akorduar ndaj futbollisteve bjelloruse. Pretendimi ka qënë se njëra prej tyre është ndëshkuar nga gjyqtarja e takimit me dy të tillë dhe ka vijuar të jetë në fushën e lojës, gjë që nëse do të ishte e tillë, sipas rregullores, takimi do të përsëritej. Pas reklamimit të stafit kuqeblu, vëzhguesi i Uefa-s ka zhvilluar me urgjencë një takim me arbitrat duke verikuar ankesën e Vllaznisë, por edhe pse janë gjetur disa gabime në shënimin dhe regjistrimin e emrave të kartonëve, pretendimi i stafit kuqeblu nuk ka qënë në atë pikë të rregullores për të ndikuar në pavleshmërinë e rezultatit.
Gaspër MARKU