Rubrika “Personazh” e kanalit Veriu Sport, këtë radhë vjen me një emër shumë të njohur të sportit shkodran dhe më gjërë. Ai është Valter Kalaja, i lindur më 29 nentor 1941 në një familje të njohur qytetare shkodrane, ku së bashku me të vëllanë e tij, Xhelal Kalanë ia kushtuan jeten sportit të basketbollit.

Ashtu, si edhe për shumë bashkëmoshatë të tij të asaj kohe, Gjimnazi i Shkodrës ishte vatra ku dilnin talentet e sportit, dhe jo vetëm, sepse prej aty kanë dalë edhe artistë, profesorë, shkencëtarë e diplomatë të mëdhenj që i kanë shërbyer qytetit dhe Shqipërisë në përgjithësi.
Talenti i tij për sportin e basketbollit do të shfaqej që në moshën 15-vjeçare, ku një tjetër emër i madh i sportit, profesor Esat Haxhi, do ta ftonte Valterin në ekipin e parë të Vllaznisë për t’iu bashkuar emrave të njohur si Muhamet Sokoli, Vehbi Ademi, Luan Shatku, vëllezërit Osmani, Skenderi dhe Petriti, Filip Guraziu, Renato Radoja, Ali Quku, Beqir Sekuj, Sandër Laca, Malo Zhabjaku, Ndrekë Gjini, Qemal Tafilica, kontigjent ky që është fitues i titullit kampion në vitin 1967 si dhe i disa trofeve të Kupave të Republikës. Në vijim, brezit më të rritur i bashkëngjiten një brez tjetër po aq i njohur të basketit shkodran, si: Zyhdi Çoba, Angjelin Shiroka, Asllan Gjyrezi, Nikolin Pali, Nikolin Kovaçi, Gjon Tarri, Halit Shpuza, etj.


Spikatja e Valter Kalasë në sportin e bashketbollit do të vijonte edhe në detyrën e trajnerit të Vllaznisë që i përket viteve 80-të. Fillimisht me ekipin e të rinjëve dhe më pas në krye të ekipit të basketit të femrave, ku me një brez vajzash të talentuara: Bardhylka Beshirin, Xhuli Shestani, Valdet Lipe, Lokja-Lumnije Syka(Zefi), Irini Mitku, Afërdita Rakaj, etj, të cilat pasohen me Kia Lataj, Lice Hasaj, Mila Lataj, Arminda Hitaj, Arta Agolli, Admira Cungu, Myfarete Basha, Mimoza Kraja, Dhurata Kuçi, etj, do të shkëlqenin në kampionatin shqiptar të femrave për të mbërritur kulmin në fitimin e vendit të parë në Spartakiadën e Katërt Kombëtare të vitit 1979 ku fitojnë edhe Medaljet e Arta.
Një vend të rëndësishëm zë Valter Kalaja edhe në pozicionin e drejtuesit të Klubit Vllaznia, periudhë e cila korrespondon me suksese të shumta, jo vetëm në Lojrat me Dorë, por thuajse edhe në të gjitha sportet e tjerë, ku spikasin, Çiklizmi, Peshëngritja, Mundja, Atletika, Noti, Gjimnastika, etj.

Përpos të tjerave, Valter Kalaja, njihej edhe si një qytetar model i Shkodrës, dhe më së shumtmi edhe një familjar i përkushtuar, ku së bashku me shoqen e tij të jetës, Vida, apo Vidushi që njihet përgjithësisht nga shkodranët, rriten dhe edukuan në mënyrën më shembullore dy fëmijët e tyre, vajzën dhe djalin, Ledja dhe Dorjantë, cilët familjarisht zgjodhëm Amerikën për të jetuar pas viteve 90-të. Atje, ku familja Kalaja u shtua dhe u zgjerua edhe më shumë me nipër e mbesa, të cilët bënin aq shumë pas gjyshit të tyre dhe që vetë Valteri bënte shumë pas tyre.
Ky shkrim dhe intervistat në video që do të ndiqni në vazhdim, vjen në prag të 85-vjetorit të munguar të lindjes së Valter Kalasë, pasi pesë vite më herët, më 12 shkurt 2021 ai u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare pas një sëmundje që e mundoi vitet e fundit.
Në mungesë të Vilit, kështu e kanë thirrur dhe njohur Valter Kalanë në Shkodër, Veriu Sport intervistoi dy nga kolegët e tij më të afërt të fushës së lojës si dhe jetës së përditshme, Halit Shpuza dhe Zyhdi Çoba, për të vijuar më pas edhe me basketbollisten e njohur Xhuljeta Shestani, sportiste e tij dhe më pas edhe kolege në sport, si dhe bashkëshorten e tij, Vidushin, e cila përpos kujtimeve mbresëlënëse të jetës së lumtur dhe plot harmoni 54 vjeçare me shokun e saj të jetës, sjell në vemendje edhe lidhjen që Vili kishte me fëmijët, nipat dhe mbesat e tij, të cilët padyshim që janë krenarë për babain dhe gjyshin e tyre, Valter Kalaja.
(Video) Biseden për personazhin e emisionit tonë Valter Kalaja, me miqtë e tij të basketbollit dhe jo vetëm, Halit Shpuza e Zyhdi Çoba, basketbollisten veterane Xhuljeta Shestani dhe Vida(Vidushi) Kalaja, bashkëshorten e Valter Kalasë, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU – Shkodër, më 25 nëntor 2026


