Është prodhim i futbollit shkodran, por Rubin Hebaj, realisht fare pak ka luajtur me uniformën kuqeblu, sepse falë vlerave të tij si një sulmues tipik goli është preferuar nga disa skuadra, brenda dhe jashtë vendit.
Për 23-vjeçarin Hebaj, veshja e fanelës durrsake në merkaton e janarit është për të dytën herë. Dhe, ky rikthim tek Teuta, duket se është ndryshe nga ai i mëparshmi, sepse brenda pak ditësh ai realizoi dy gola për skuadrën e tij.
Ai ndaj Laçit për kampionat rihapi takimin dhe me një shtyllë në vazhdim nga ana e tij, Teuta ishte shumë pranë barazimit, por kurbinasit goditën në shtesë duke siguruar fitoren. Ndërkohë, goli në mesjavë i shënuar për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë në transferten korçare ishte përcaktues për skuadrën e tij.
Nga Korça e mërkurës së Kupës në Korçën e Kampionatit, Rubin Hebaj kërkon të bëjë sërishmi “heroin” në fushën e lojës. Që do të thotë se Hebaj kërkon edhe një tjetër gol gjatë përballjes të së hënës, takim që do të luhet në stadiumin “Skënderbeu” duke filluar nga ora 16:45.
“Te Teuta ndihem shumë mirë. Jam shumë i lumtur që shënova në Korçë, por më shumë që i dhashë qetësinë e munguar skuadrës. Ishte një ndeshje në kushte të pazakonta për ne, dhamë maksimumin dhe u shpërblyem në fund. Besoj se fitorja në Kupë do të na shërbejë shumë në rritjen e moralit për vazhdimësinë e kampionatit. Pas Skënderbeut jemi më të qetë për ndeshjen e radhës. Kjo Teutë do bëjë mirë në vazhdim.
Nuk janë thjesht gola e mi. Janë aksione që nisin nga portieri dhe të gjithë lojtarët mundohen të bëjnë më të mirën. Unë jam sulmues dhe bëj veçse detyrën time, për të cilën jam në këtë skuadër. Sigurisht, kam kënaqësi kur arrij të shënoj, por në fund të fundit nuk kam bërë gjë tjetër veçse punën time si lojtar i Teutës. Mundohem të bëj më të mirën, jo vetëm në stërvitje, por edhe në ndeshje miqësore e zyrtare, ku golat janë edhe më të vështirë për t’u shënuar. Por, kur ke nga pas mbështetjen e skuadrës, gjithçka bëhet më e lehtë. Kjo ndeshje e kampionatit me Skënderbeun do të ketë një melodi tjetër nga ajo e Kupës.
Fitorja e mesjavës erdhi në momentin e duhur për Teutën, sepse e kishim të nevojshme pas disa rezultateve jo shumë të mira. Ne duhet t’i kalojmë ndeshjet me fitore, njëra pas tjetrës, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Tashmë na pret një ndeshje shumë e fortë me Skënderbeun, që duhet ta fitojmë për t’u ngjitur lart në renditje. Mendoj se Teutës i duhet se s’bën trepikëshi ndaj Skënderbeut, duke pasur parasysh edhe faktin që jemi në një moment pozitiv pas suksesit në Kupë. Nga ana morale ekipi qëndron më lart se korçarët. Patjetër që duhet ta shfrytëzojmë këtë moment, sepse s’ka më kohë për gabime. Teuta duhet të luajë vetëm për fitore, jo vetëm ndaj Skënderbeut, por çdo ekipi që do të ketë përballë.
Nëse marrim tri pikë, i presim me shumë qetësi rezultatet e rivalëve. Në fakt, unë dhe ekipi nuk jemi të kënaqur me pikët që kemi marrë deri tani. Mendoj se skuadra ka bërë ndeshje të mira dhe meritonte më shumë pikë. Megjithatë, nuk është justifikim kjo gjë. Duhet të kishim marrë diçka më shumë, por duhet të punojmë fort dhe të rikuperojmë pikët.”, është shprehur për median shkodrani Rubin Hebaj, dy ditë përpara sfidës së javës së 18-të ndaj Skënderbeut.