Kombëtarja shqiptare e Futsallit do të luajë një ndeshje vëllazërore me Kosovën në kupën “Adem Jashari”. Kjo miqësore do të luhet në Kosovë në datën 3 mars dhe do të nisë ora 19:00. Pas bisedimeve mes FFK-së dhe Federatës Shqiptare të Futbollit është rënë dakord për zhvillimin e ndeshjes dhe detajet e organizimit.
Trajneri i Kombëtares shqiptare Erind Resuli ka përzgjedhur tashmë edhe 14 lojtarët që janë thirrur për këtë test të vlefshëm. Kjo është një mundësi për kuqezinjtë që të grumbullohen dhe të kthehen në aksion pas disa muajsh, duke zhvilluar disa miqësore para ndeshjeve para-eliminatore të Kupës së Botës së Futsallit 2024.
Kombëtarja shqiptare e Futsallit është shortuar në Grupin E së bashku me Suedinë, Andorrën dhe Austrinë. Tashmë është përgatitur dhe është gati edhe kalendari i plotë i ndeshjeve për këtë fazë para-eliminatore. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në muajin prill në Suedi, nga data 4 deri në 13 prill, me suedezët që janë përzgjedhur si organizatorë të turneut.
Sa i përket Shqipërisë, skuadra e drejtuar nga trajneri Erind Resuli do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Andorrës më 9 prill, ndërsa një ditë më pas, më 10 prill do të ketë përballë Austrinë. Ndeshja e tretë dhe e fundit e kuqezinjve që do të përmbyllë këtë fazë do të jetë ajo ndaj vendit organizator, Suedisë, më 12 prill.
Më poshtë edhe lista e lojtarëve që janë ftuar në Kombëtaren e futsallit për miqësoren me Kosovën: