Monday, November 25, 2024

Kastrioti nuk di të ndalet, likujdon edhe Kukësin që rrezikon vendin e tretë

Lexo

Mos e quani më një surprizë. Kastrioti i Emiljano Çelës po bën një kampionat jashtë çdo parashikimi. Suksesi i pestë rradhazi, i fundit kundërshtar që doli i mundur ishte Kukësi. Në takimin e javës së 29-të që u zhvillua në Kamëz, krutanët fitojnë me shifrat 1-0. Një sfidë që do të niste mirë për Kukësin kur në minutën e 8-të, Emiljano Musta do të kalonte në avantazh skuadrën verilindore. Megjithatë festa e lojtarit do të zgjaste vetëm disa sekonda, sepse VAR thërret kryesorin Kreshnik Cjapi në monitor për të parë një ndërhyrje të parregullt të autorit të golit.

Arbitri nga Fieri e konsideron të parregullt golin dhe karton i verdhë për 30-vjeçarin. Dueli bëhet më interesant në minutat në vazhdim. Kastrioti nuk e ul ritmin për asnjë moment dhe tremb kundërshtarin me ndërhyrjet e shumta si në rastin e Ramit ashtu edhe të Didës, ky i fundit ndëshkohet me karton të verdhë. Lojtarët e Kukësit e luajnë topin shpejt, megjithëse terreni nuk ia mundësonte një futboll konkret.

Kukësi provoi në minutën e 44-ët të shënonte, por si Bruno Lulaj ashtu edhe Fizhao nuk u treguan të saktë, ndonëse braziliani por edhe Bahitri ndodheshin në pozion jashtë loje. Pjesa e dytë bëhet akoma më interesante, dy skuadrat nuk menduan më për skema dhe hidhen në aventurë në kërkim të golit. Në minutën e 57-të, Kastrioti do të shënonte me Bedri Grecën. Topi fillimisht devijohet nga muri dhe sulmuesi me një gjysmë roveshatë ia del të shënojë.

Goli i katërt në kampionat për sulmuesin. Kukësi nuk dorëzohet dhe kërkon me patjetër të ndryshojë fatet e takimit. Në minutën e 69-të Luka Milunovic për pak mund të kishte barazuar shifrat, por shtylla i mohoi golin. Kastrioti përdor kundërsulmet dhe Zogaj në rastin e minutës së 70-të mund të kishte shënuar, por portieri Xhika mbajti në lojë verilindorët. Kastrioti mbrohet me forca të shumta dhe Kukësi shkon pranë golit në dy raste.

Në minutën e 88-të Kristi Marku, provoi por tentativa e tij shkoi jashtë kuadratit, ndërsa momenti më i rëndëisshëm ishte kur Edi Basha me një goditje të kalibruar ia doli të godiste saktë, por ajo shtyllë e disa minutave më parë nga Milunovic, përsëritet edhe një herë. Kastrioti administron minutat e mbetura. Me këtë fitore Kastrioti ngjitet në vendin e 6-të në kuotën e 37 pikëve, ndërsa Kukësi mbetet i treti me 45 pikë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img