Tuesday, April 30, 2024

Tirana nuk fal askënd, pas Skënderbeut mund edhe Egnatian në shtëpinë e saj 0-3, titulli krejt pranë

Lexo

Në kampin bardheblu nuk kanë mëshirë për askënd. Me ndeshjet dhe fitoret që po realizon nga javë në javë po tregon se është një skuadër pa kompromis. Një gjë të tillë e bëri në Korçë dhe të njëjtën gjë e përsëriti edhe sot në Rrogozhinë, teksa e mundi Egnatian në shtëpinë e saj me rezultatin 0-3.

Realizimi i Xhixhës që në frymën e parë të ndeshjes së Rrogozhinës i çliroi këmbët e bardhebluve për të regjistruar ndeshjen e tetë rresht pa humbje, ndërsa në krahun tjetër, kjo ishte një disfatë pa shumë dhimbje për Egnatian që në këtë sfidë hoqi dorë nga bomberi Pedro Augusto për shkak kartonësh. I mjaftuan pak më shumë se 60 sekonda Redon Xhixhës për të shtangur Pujën me një të djathtë kirurgjikale ku numri 1 i portës rrogozhinase nuk mund të bënte më shumë.

Shok total për skuadrën e Ramadanit që nuk arriti të reagonte menjëherë por gjithsesi e mbylli pjesën e parë në disavantazhin minimal, pavarësisht disa tentativave të vakëta nga të dyja kampet. Për bardheblutë, Xhixha dhe Ismajlgeci u shfaqën ngacmues ndërsa në krahun tjetër, Demir Imeri por edhe Jackson ishin shumë pak për të shqetësuar Visar Bekajn që kontrolloi zonën e tij pa telashe të mëdha.

Rikthimi në fushën e lojës nuk ndryshoi asgjë në peshoren e ndeshjes pasi tentativa e Imerit u pasua nga një tjetër gol por në portën e kundërt. Hoxhallari nuk e fali Pujën duke sigluar rrjetën e qetësisë për bardheblutë me një gol që erdhi direkt nga goditja e këndit. Më pas ishte radha e Najdovskit për të shënuar edhe të tretin.

Shumë e brishtë mbrojtja e Egnatias për t’i bërë ballë Tiranës që nuk u ndal për asnjë moment duke dhuruar një tjetër paraqitje për t’u vendosur në kornizë. 19 pikë diferencë nga Laçi ndjekës, titulli është shumë pranë, vetëm çështje ditësh.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img