Ariol Zeneli është nënkampion Europe në boks për të rinj në Kampionatin që të enjten në mbrëmje ka përfunduar në Sofje të Bullgarisë. Në finalen e peshës deri në 51 kilogram, Zeneli ka patur përballë gjeorgjianin Gor Ajvazian, i cili, edhe sipas gjykimit të pesë arbitrave anësorë, ishte më i përgatitur se vlonjati. Pikët janë të ngushta, të cilat në fakt shkojnë në favor të gjeorgjianit, i cili e ka fituar medaljen e artë duke fituar 4-1.
28-29, 29-28, 28-29, 28-29 dhe 28-29. E megjithatë për Ariol Zenelin dhe boksin shqiptar, apo dhe për trajnerin Gëzim Zeneli, kjo medalje e argjendtë, që vjen pas asaj të bronztë të Alban Beqirit në Kampionatin Botëror, është sukses. Që tregon se sporti i dorezave në Shqipëri ka rritje dhe premton të tjera medalje ndërkombëtare.
Më herët, përpara se të shkonte në finale, 17 vjeçari i talentuar mbas fitores së mrekullueshme me kampionin e evropës në fuqi, spanjollin Rafael Lozano, realizoi një tjetër fitore me sllovakun Vymyslicky Lukas duke u futur në zonën e medaljeve.
Arioli rrjedh nga nje familje me tradita të forta sportive, ai është djali i Ruzhdi Zenelit (mjeshtër i madh), kampionit absolut shqiptar në mundjen klasike në peshat 52, 57 dhe 62 kg në fillim të viteve 1980 deri 1992 me Flamurtarin dhe Partizanin.
Arioli stërvitet nga xhaxhai i tij, Gëzim Zeneli (mjeshtër i madh), 30 vjet trajnier i boksit të Flamurtarit dhe disa vite bashkëtrajnier i ekipit kombëtar së bashku me trajnierin simbol të boksit shqiptar në këto 30 vite, Zef Gjoni.