Vllaznia dhe Tirana në futboll për femra, ishte ndeshja që duhej të zhvillohej paraditen e sotme në stadiumin “Reshit Rusi” në kuadrin e javës së 20-të të Kampionatit të 13-të Kombëtar për Superligën e futbollit të femrave. Por, realisht kjo ndeshje nuk u zhvillua fare.
Arsyeja është se skuadra mike nuk është paraqitur fare, gjë që sipas rregullores, skuadra mike duhet të penalizohet, jo vetem me humbjen e ndeshjes në tavolinë 3-0, por pritet të ndëshkohet edhe me penalitete të tjera, që mund të jenë me pike të hequra, apo edhe në aspektin financiar. Rasti në fjalë përbën një shqetësim jo të vogël në prizmin organizativ të futbollit të femrave, pasi nuk bëhet fjalë për një skuadër të dorës së dytë apo të tretë, por për Tiranën, e cila në prag të kësaj ndeshje renditej në venin e dytë me tre pikë më pak sesa Vllaznia dhe dy më tepër sesa Apolonia e vendit të tretë.
Realisht, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, e kishte vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje me objektiv fitoren tre pikëshe dhe marshimin drejt titullit kampion. Futbollistet kuqeblu kanë dalë në nxemje në prag të kësaj ndeshje. Po ashtu ka bërë edhe treshja e gjykimit me arbiter kryesor, elbasanasen Emanuela Rusta.
Në zbatim të rregullores që përcakton Federata Shqiptare e Futbollit, pasi është konsumuar koha e duhur e pritjes së skuadrës kundërshtare, ndeshja është përgatitur të fillonte me vetëm skuadrën shkodrane të rreshtuar në fushën e lojës. Më pas është dëgjuar vërshëllima e gjyqtares për fillimin e ndeshjes, e shoqëruar në të njëjtën kohë edhe për mbylljen e ndeshjes. Bazuar në atë që u vertetua në fushën e stadiumit “Reshit Rusi”, Vllaznia duhet të marrë tre pikët në tavolinë, por zyrtarisht një gjë e tillë do të vijë pas vendimit që do të marrë Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së.
Superliga e futbollit për femra, ka për të luajtur edhe dy ndeshje, ku për Vllazninë, kalendari në javën e parafundit përmban ndeshjen në transfertë me Partizanin dhe më pas në javën e fundit me Skënderbeun në Shkodër. Pas kësaj jave, Vllaznia vijon të kryesojë kampionatin tashmë me 6 pikë më shumë sesa Tirana, e cila zbret në vendin e tretë, dhe me 5 më shumë sesa Apolonia, e cila pas fitores së sotme ndaj Lushnjes me rezultatin e thellë 17-0, është ngjitur në vendin e dytë.