Me renditjen në vendin e parë të grupit B, në fakt Flamurtari e kishte siguruar kualifikimin në kategorinë e parë, por finalja e sotme me Luzin 2008 fitues i grupit A, zyrtarizonte ekipin kampion të sezonit
Pas një pjese të parë 0-0, me të nisur e dyta, Flamurtari shënon me anë të shkodranit Pjeshka duke lënë të kuptohet se nuk do ta kishte të vështirë fitimin e titullit kampion. Por, i këtij mendimi nuk ishte Luzi, i cili barazoi me golin mjeshtror të Gjinajt.
Ky barazim qëndron në fuqi, jo vetëm deri në fund të minutës së 90-të, por edhe pas kohës shtesë duke kërkuar ndihmën e gjuajtjeve të penalltive për të shpallur fituesin. Vlonjatët kanë qenë më të saktë nga pika e bardhë duke fituar 4-2, me saktësinë e Ramadanit, Pjeshkës, Ribajt dhe Metani.
Në ceremoninë përmbyllëse të kampionatit organizuar në stadiumin “Selman Stërmasi”, ka qënë anëtari i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj që ka dorëzuar medaljet futbollistëve të Flamurtarit, mes të cilëve janë edhe tre shkodranët, Olsi Gocaj, Denis Pjeshka dhe Behar Ramadani. Ndërkohë, që kupën e trofeut të titullit kampion e ka marrë në dorëzim kapiteni, Andi Ribaj, i cili së bashku me Ditmar Bicajn e formacionit vlonjat, kanë luajtur për Vllazninë e Shkodrës.