Sunday, May 19, 2024

Laçi, zyrtarisht i dyti në Superiore. Fitorja 4-1 ndaj Kastriotit, ul me “këmbë në tokë” krutanët

Lexo

Laçi nuk din të ndalet. Seria e fitoreve nën drejtimin e teknikut Shpëtim Duro ka vijuar edhe sot duke mundur me rezultatin 4-1 Kastriotin. Fitore kjo që  zyrtarizon kurbinasit në vendin e dytë të kampionatit duke garantuar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Nga ana tjetër, rezultati i sotëm, duket se ulë me “këmbë në tokë” krutanët e Kastriotit. Ndërkohë që pati ndonjë shkëndijë që Kastriotit edhe mund të kapte Kupat e Europës, dy humbjet radhazi i kanë stopuar ato në vendin e gjashtë, që nëse nuk rikthehen tek fitorja, problemet edhe mund të vështirësohen për “zonën  e ftohtë” të renditjes.

Kastrioti, që luante si mysafir, duke pasur edhe ndihmën e VARit, shënojnë me penallti me anë të Ajazit në minutën e 38-të. Kaq ishte për krutanët në sfidën e sotme, sepse më pas,  dhe një kthesë spektakolare loje, me kurbinasit që përmbysën gjithçka në katër minuta çmenduri. Adeleke në gjysëm-kthesë la Salin të pashpresë në minutën e 40-të, por ende pa u shuar mirë jehona e barazimit  e bardhezinjtë shënuan të dytin me Shehun, i gjetur në perfeksion nga Deliu.

Dyshja e artë e mesfushës së Duros është kthyer të xhirojë me ritme të larta e bashkë me të i gjithë Laçi, që pjesën e dytë e luajti me sens unik, duke shtypur Kastriotin në zonën e tij. Krutanët pranuan në një farë mënyrë supremacinë e kundërshtarit, me përjashtim të Salit, që i provoi të gjitha për të ndalur valën bardhezi. Në të 47’ devijoi në kënd goditjen e Adelekes, 7 minuta më vonë shpëtoi nga turpërimi gjithë prapavijën që ishte gjunjëzuar ndaj finteve të Shehut. E megjithatë, edhe portieri duhet të ulë flamurin e rezistencës, i siluruar nga distanca nga Qato në minutën e 63-të, me Salin që këtë herë nuk mund të bënte asgjë.

Pasivi i Kastriotit mund të ishte edhe më i rëndë, sepse dy minuta më pas Bastari akordoi penallti për kontrastin mes Nezirit e Guindos. Edhe këtë herë arbitri ka parë keq, sepse pas kontrollit me VAR anulon vendimin e tij. Ka lavdi edhe për Zarubicën, që firmosi pokerin pak para mbylljes së kohës së rregullt.

Laçi blindon vendin e dytë me 60 pikë, të paprekshëm edhe matematikisht dhe tani mendon vetëm për finalen e Kupës me Vllazninë, ndërsa krutanët kanë nevojë vetëm për një pikë në tri ndeshjet e mbetura për të shpëtuar matematikisht, gjithnjë nëse nuk duan të luajnë lojën e golavarazhit me Egnatian.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img