Bylis U-21 është shpallur kampion i Kategorisë Superiore U-21 për edicionin 2021-2022, duke siguruar matematikisht titullin para përfundimit të sezonit të rregullt. Ekipi mallakastriot ka 70 pikë të grumbulluara pas 28 ndeshjesh, duke fituar titullin e dytë kampion radhazi për këtë grup-moshë.
Federata Shqiptare e Futbollit organizoi edhe ceremoninë e titulli, ku trajneri i kombëtares U-20, Iljas Haxhiraj i dorëzoi trofeun e kampionit dhe medaljet lojtarëve dhe stafin teknik .
Kategoria Superiore U-21 po mbyll kësisoj me sukses edicionin e dytë si një ndër risitë e rëndësishme të Federatës Shqiptare të Futbollit të viteve të fundit dhe një projekt me vlera për futbollin e të rinjve.
Përmes këtij kampionati lojtarët e shumtë të cilët mbyllin ciklin me ekipet e moshave U-19 dhe nuk kanë hapësira momentale për të vazhduar karrierën me ekipet e të rriturve, të kenë shanse të aktivizohen sa më shumë me ekipet e 21-vjeçarëve.
Edhe për klubet që kanë shumë lojtarë që vijnë nga akademitë është një mundësi e mirë për të pasur futbollistë që aktivizohen me ekipet U-21 dhe mund të jenë të gatshëm në çdo moment për të luajtur me ekipet e të rriturve.