Ora 19:00 e mbrëmjes së sotme shënon startin e finales së Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Laçi. Një supersfidë kjo që ka marrë vemendjen maksimale të opinionit sportiv, sidomos atij shkodran, i cili është në pritje të fitores së trofeut, por edhe të zyrtarizimit si pjesëmarrëse në Kupat e Europës.
Interesimi nga ana e tifozërisë shkodrane për ta shijuar nga afër këtë ndeshje është tejet i madh. Krahas atyre që udhëtojnë nga Shkodra me automjetet e tyre personale, Klubi i Futbollit Vllaznia ka vendosur autobuzë falas pa limit për të gjithë ato tifozë që kanë dëshirë të udhëtojnë drejt kryeqytetit.
Masës së madhe të tifozërisë kuqeblu, i shtohet pa tjetër edhe pjesa e shkodranëve që jetojnë prej vitesh në kryeqytet, dhe që, sa herë Vllaznia luan në Tiranë, ato nuk mungojnë të mbështesin skuadrën e tyre të zemrës nga tribunat e stadiumit.
NJOFTIM PËR SPORTDASHËSIT E VLLAZNISË
Presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia z.Alban Xhaferi, për t’i ardhur në ndihmë tifozëve shkodranë të cilët dëshirojnë të ndjekin finalen e Kupës së Republikës së Shqipërisë, Vllaznia – Laçi, të martën, ora 19.00, datë 31 Maj 2022, në stadiumin “Air Albania”- Tiranë, ka vendosur në dispozicion, autobuza falas. Ju njoftojmë se nisja do të bëhet ditën e martë 31 Maj 2022, në orën 14.00, pranë sheshit të teatrit Migjeni, Shkodër. Të gjithë personat e interesuar për të prenotuar vendin e tyre duhet të kontaktojnë pranë lokalit Kuqeblu i ndodhur pranë Teatrit Migjeni, me personin e kontaktit, gazetarin sportiv z.Edmond Dibra ose të telefonojnë në numrin +355692583087. #ForcaVllaznia
Një jetë dy ngjyra