Friday, December 27, 2024

Barazimi me Estoninë, tekniku Reja analizon lojën e kuqezinjëve, prek edhe Brojën: Prisja më shumë nga ai!

Lexo

Pas barazimit pa gola në miqësoren me Estoninë, trajneri Edi Reja duke komentuar ndeshjen në fjalë, nuk ka mbetur i kënaqur nga loja e skuadrës së tij, ndërkohë që ka prekur edhe paraqitjen e Armando Brojës.

“Është një jetë që flitet për këto situata por të gjesh stimuj në këtë periudhë është e vështirë. Duhet respekt për djemtë që qëndruan se ata që u larguan ishin shumë të lodhur. Nga kjo pikëpamje u paraqitëm mirë, krijuam diçka. Pastaj desha të shihja ndonjë të ri, shërbeu për të bërë disa vlerësime për të vazhduar këtë projekt dhe pashë disa gjëra që më pëlqyen. Pastaj pak nga këtu e pak atje, ndoshta ka diçka pozitive që të jemi besimplotë për të ardhmen. Por sa i përket ndeshjes, janë të tilla që nuk kanë kuptim dhe të gjesh motivim. Pastaj edhe publiku nuk ishte i shumtë për të stimuluar djemtë dhe dukej si ndeshje përgatitore e gushtit.

Në veçanti ajo që nuk më pëlqeu ishte se shkojmë pak në fund e gjuajmë pak dhe nuk më pëlqen. E kisha thënë që duhet të marrim fundoren, por duhet shpejtësi. Kur gjen skuadra të mbyllura duhen lojtarë që driblojnë. Ne i kemi por nuk kishim forcën të tentonim këtë lloj sjellje. Pastaj më pëlqeu Bajrami i cili është një lojtar i cili ka cilësi të mira teknike, Muçolli është një lojtar tjetër ndaj të cilit të jemi të vëmendshëm që mund të kenë perspektivë në kombëtare. Edhe Mersinaj e Çokaj, nuk shohim vetëm të tashmen por edhe të ardhmen, Po mundohemi të afrojmë sa më shumë lojtarë të fortë të mundshëm. Po monitorojmë të rinj të tjerë që janë ende të vegjël dhe nuk janë të gatshëm nga pikëpamja fizike, ka shumë shqiptarë të rinj kudo që luajnë dhe nëse gjejmë ata dy të duhurit që na zgjidhin problemet nuk do të ishte keq.

Skema? Çdo gjë mund të bëhet dhe mund të ndryshojmë. Unë ndryshova duke vendosur 4 mbrapa dhe humbëm ekuilibrin dhe mund ta pësonim. Jemi mësuar të luajmë në këtë mënyrë dhe kemi siguri, duhet të gjejmë zgjidhje në mesfushë dhe para. Broja duhet të jetë më shumë konstant e prezent, sot prisja diçka më shumë prej tij. Edhe Seferin e vendosa me Vrionin, por nuk kemi ende atë lojtar që na zgjidh problemet. Me këto skuadra edhe ia dalim, por në Ligën B ku jemi ne ka cilësi të ndryshme dhe duhet të gjejmë cilësi të njëjta. Nuk ka të bëjë loja, se ajo shfaqet kur kemi një lloj cilësie. Ne për momentin jemi një skuadër e mirë, ku të gjithë të ndjejnë përkatësinë. Përtej limiteve që kemi, mund të luajmë ndaj kujtdo me kokën lart. Jo me ekipe si Franca e Gjermania, por me skuadra si Polonia e Hungaria. Por duhet të jemi një prani fizike, të krijojmë një grup të fortë dhe të kemi një ndjenjë përkatësie ndaj kësaj kombëtareje e federate, se kështu fitohet. Lojën e bëjnë lojtarët. Unë kam shumë vite karriere e kam luajtur 4-3-3, kohët e fundit kalova me 3-4-2. Kur erdha këtu, duke folur me lojtarët që ishin si Gjimshiti e Veselin, më thanë djemtë që ‘duam siguri se me 4 mbrapa na fusin gola nga të gjitha anët’. Ne duhet të punojmë në mesfushë e para dhe nuk ka të bëjë kjo me zgjedhjet e mënyrës së lojës por me cilësitë”, u shpreh Reja.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img