Tirana do të luajë të enjten kundër Zrinjskit në transfertë, ndeshje e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Në takimin e parë bardheblutë janë mposhtur 1-0. Megjithatë në Bosnjë shpresohet te një rezultat pozitiv që mund t’i japë kualifikimin në raundin pasardhës.
Skuadra bardheblu ka mbërritur ditën e djeshme në shtetin boshnjak, teksa do të stërvitet sot në orën 18:30 dhe nesër në orën 20:00. Trajneri Orges Shehi ende nuk është i vendosur për formacionin titullar. Por, gjasat janë që të luajë me një skemë 4-3-3. Në dilemë është Totre me Qefalijan. Ky i fundit u dëmtua në ndeshjen e luajtur në “Air Albania” me boshnjakët.
Sakaq Totre duket më larg se sa afër bardhebluve, ndaj pritet me interes të shihet nëse mesfushori do të zërë ose jo një vend titullari në këtë sfidë. Me gjasë, Tirana do të luajë të enjten në orën 21:00 me këtë 11-she titullare: Bekaj, Tozhevski – Behiratche – Najdovksi – Ismajlgeci, Totre – Aleksi – Limaj, Seferi – De Silva – Xhixha.