Flori Spahija dhe Antonio Delaj, janë dy futbollistët më të rinjë të Klubit të Futbollit Vllaznia. Lojtarët në fjalë, që i përkasin repartit të mbrojtjes Spahija dhe të sulmit Delaj, janë rritur në ekipet zinxhir të Akademisë së Futbollit Vllaznia duke qënë njëkohësisht edhe pjesë e kombëtares së moshave. Sezonin e kaluar ato kanë spikatur në përbërje të ekipit Vllaznia U-19 të drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani, dhe tashmë do të vijojnë të jenë përsëri me trajnerin Sinani, por në ekipin e parë të Vllaznisë. Sipas stafit teknik me në krye teknikun Mirel Josa, Spahija dhe Delaj janë futbollistë me të dhënë mjaft të mira që premtojnë shumë për të ardhmen.
“Klubi i Futbollit Vllaznia përpos përpjekjeve për të sjellë në skuadër lojtarë sa më cilësorë për ekipin e parë, nuk e ka lënë pas dore asnjëherë edhe vëmendjen ndaj elementit të ri. Si rrjedhojë, në kuadrin e investimit për të ardhmen, bëjmë të ditur se kemi firmosur me dy prej lojtarëve të spikatur të Akademisë tonë, Flori Spahija dhe Antonio Delaj. Të dy këta futbollistë kanë nënshkruar kontratat e para profesionale dhe do të jenë pjesë e KF Vllaznia edhe për tre sezonet e ardhshme.
Suksese #Florispahija! Suksese #antoniodelaj!”, shkruhet në njoftimin zyrtar të KF Vllaznia