Kombëtarja e femrave do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshjen e parë të muajit shtator ndaj Polonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.
Në prag të sfidës me Poloninë, trajneri Armir Grima ka dalë në një konferencë zyrtare për mediat në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku ka folur për të gjithë ecurinë e ekipit gjatë këtyre përgatitjeve dhe objektivat për ndeshjen e nesërme.
Gjithashtu, trajneri Grima foli edhe për të gjithë këtë edicion kualifikuesesh Botërori, që nga rekordi i 10 pikëve të grumbulluara për momentin, ku tekniku mendon se mund të kishim edhe më shumë nëse ekipi do të kishte fituar ndaj Kosovës në Elbasan, por edhe te plani i stafit për të rifreskuar skuadrën pas eliminatoreve dhe problematikat kryesore që ka futbolli i femrave në Shqipëri.
Gjendja fizike e skuadrës pas pushimeve të gjata verore – Një nga problemet më të mëdha te futbolli i femrave është periudha e verës, që është një periudhë shumë e gjatë pushimi për vajzat dhe nuk po arrijmë të gjejmë një gjuhë të përbashkët me klubet që kjo periudhë të mos jetë kaq e gjatë, por të ketë disa ditë në javë stërvitje. Gjë që nuk po ndodh dhe përjashtojmë ekipin e Vllaznisë që vjen nga një aktivitet ndërkombëtar dhe vajzat kanë mbi një muaj që janë të grumbulluara, pjesa tjetër e vajzave ka probleme të mjaftueshme fizike.
Cilit kundërshtar i druhemi më shumë? – Janë të dyja rivale të forta dhe ne nuk mund të përcaktojmë se cila është më e mira sepse në çdo moment që ne i kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarët, kemi arritur të luajmë mirë dhe të marrim rezultate të mira. Mendoj që na presin dy ndeshje të vështira, por që shpresojmë të përfaqësohemi në mënyrën më të mirë të mundshme.
Futbollistet që aktivizohen me Vllazninë – Shpresojmë që të jenë në formën më të mirë të tyre fizike, kemi problematika me dëmtime lojtarësh, por mendojmë që pesha kryesore do të përballohet nga futbollistet e Vllaznisë dhe urojmë që të kemi performancë të mirë, siç kishin në Champions League.
A prisnim më tepër se 10 pikë në këto kualifikuese? – Mendoj që na mungojnë të paktën edhe dy pikë, nga ndeshja e parë që kemi zhvilluar me Kosovën në Elbasan. Megjithatë unë mendoj se kemi bërë një arritje të mirë dhe shpresoj që, ashtu siç kemi thënë edhe në fillim që Kombëtarja e femrave të jetë një lokomotivë për futbollin e femrave në Shqipëri. Besoj se po ecim mirë, po punojmë mirë, po jemi një shembull i mirë edhe për të gjitha vajzat e tjera të kampionatit shqiptar. Po punove, po arrite, do të jesh pjesë e ekipit kombëtar, por edhe pjesë e rezultateve të mira që merr ekipi kombëtar i femrave.
Alternativat e reja në kombëtare – Ne jemi të detyruar që të provojmë alternativa të reja, sepse kemi dëmtime, kemi mungesa të vajzave dhe normalisht do të ketë hapësira për vajza të reja. Gjithsesi, edhe periudha pas këtyre dy ndeshjeve, në miqësoret që do të bëjmë, besojmë që do të jetë një periudhë e mirë për të rifreskuar ekipin kombëtar, për të gjetur elementë sa më cilësorë që të jenë pjesë e ekipit. Por vazhdimisht janë bërë seleksionime, vajzat ndiqen në çdo ndeshje të kampionatit shqiptar dhe e dimë thuajse me ‘sy mbyllur’ se çfarë ka kampionati shqiptar.
Çfarë shpresojmë ndaj Polonisë? – Të bëjmë ndonjë surprizë në rezultat dhe të vazhdojmë lojërat e mira që kemi bërë. Po luajtëm mirë, po dhamë maksimumin në fushë siç kemi bërë vazhdimisht, besoj se do të dalim me kokën lart nga fusha.
Plani i stafit, çfarë ndodh pas kualifikueseve – Së bashku me Sektorin e Futbollit të Femrave në FSHF kemi bërë një plan afatgjatë për këtë vit, pasi deri në shtatorin tjetër nuk ka eliminatore. Kemi në plan seleksionime, ndeshje miqësore, faza përgatitore, për t’i mbajtur vajzat në tonus siç kemi bërë vazhdimisht këto periudha me ndihmën e FSHF-së.
Rifreskimi i skuadrës me elementë të rinj – Për sezonin e ardhshëm, po punojmë që të afrojmë vajza të tjera pranë ekipit kombëtar. Shpresoj në mirëkuptimin e qeverisë, për mos të na u bërë pengesë për pajisjen me pasaporta, sepse është një process shumë i vonuar. Mund të kemi gati 2 vite që presim që të bëhen disa pasaporta dhe do të ishim më të kompletuar tani nëse do t’i kishim. Por besoj se gjuha e përbashkët është gjetur dhe shpresojmë që sezonin tjetër të kemi më shumë vajza që të jenë pjesë e ekipit tonë dhe të kemi mundësi përzgjedhje për kualifikueset e tjera. Dhe gjithashtu shpresojmë të kemi më shumë fat në short. Ndoshta kjo gjë na mungon.
(Video) Trajner i Kombëtares së Futbollit Femra Armir Grima, flet në prag të ndeshjes me Poloninë, kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.