Ka filluar dje me ndeshjen e parë, Teuta-Kukësi, takim ky i mbyllur në barazim 0-0, ndërkohë që java e katërt e Abissnet Superiore vijon sot edhe dy sfidat e tjera të radhës.
Në stadiumin rrogozhinas, “Arena Egnatia” duke filluar prej orës 15:00, luhet Egnatia-Vllazni dhe po në të njëjtin orar, në stadiumin e qytetit të Kamzës, do të jetë ndeshja tjetër e ditës së sotme, Kastrioti-Tirana.
Me shumë interes pritet përballja mes Egnatias dhe Vllaznisë, ku vendasit e drejtuar nga Edlir Tetova me katër forca ish kuqeblu në kampin e tyre kërkojnë të sfidojnë Vllazninë. Por, nga ana tjetër, kuqeblutë e dirigjuar nga Mirel Josa janë të vendosur për të ecur në rrugën e dy ndeshjeve të fundit ku dolën fitimtarë ndaj Kukësit dhe Tiranës.
Në pritje të kësaj ndeshje, komisioni i arbitrave pranë FSHF-së ka përcaktuar edhe emrat e gjyqtarëve që do të drejtojnë këtë takim. Ato janë: Kreshnik Cjapi kryesor, Ilir Tartaraj dhe Orgest Grabova anësorë dhe Dorjan Maletaj, arbitër i katërt. Olsion Yzeiraj do të jetë në VAR dhe AVAR, Marjus Qose.
Jo pa interes është edhe sfida në mes Kastriotit dhe Tiranës, me krutat entuziastë që vijnë nga fitorja në transfertë me Kukësin dhe Tirana e mundur në shtëpi nga Vllaznia. Një ndeshje kjo, që sidomos për bardheblutë kërkohet patjetër fitorja. Trupa gjykuese në këtë ndeshje do të jetë: Arbitër kryesor Andi Koçi i shoqëruar nga ndihmësit e tij asistentët, Maringlen Llukmani dhe Herald Lisaku, si dhe arbitri i katërt Albert Doda. Dy arbitrat e njohur shkodran, Indrit Myrtja dhe Jetmir Podgorica, janë të caktuar në sistemin VAR dhe AVAR.