Vllaznia nuk ka kohë më për të humbur. Asaj i duhen patjetër pikët e konfirmimit si pretendente për titull, objektiv të cilin e ka deklaruar që në hapje të sezonit. Ndaj, duke filluar që nga kjo e premte kur ndeshet në transfertë me Teutën, tekniku i kuqebluve ka kërkuar nga skuadra e tij fitoren tre pikëshe. Një deklaratë të tillë Josa e përcolli në konferencën për shtyp dhënë paraditen e sotme në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”, teksa fillimisht, ai e nisi me një analizë të humbjes me Flamurtarin për Kupë duke kritikuar oshilacionet e paraqitura nga ndeshja në ndeshje.
“Ne nuk mund të themi që nuk kemi vlerësuar ndeshjet e shkuara. Problemi i oscilacioneve është një problem që na preokupon shumë, duke futur dhe ndeshjen e kupës. Kishim probleme brenda për brenda lojës, pasi patën një gjysmë ore lojë që luajtëm shumë mirë. Patëm oscilacione dhe nuk realizuam golin e dytë.”, tha Josa për dështimin që kuqeblutë patën në Vlorë.
Më pas, duke komentuar sfidën e nesërme ndaj Teutës, edhe pse vlerëson kundërshtarin, këmbëngulë se Vllaznisë i duhen patjetër pikët e plota në këtë ndeshje.
“Janë ndeshje me ekipet që duan pikë. Nuk do të merrem me kundërshtarin dhe duhet të luajmë futboll dhe të marrim pikët, do shoh punën që do të bëjmë në fushën e lojës. Nuk ka kohë për të humbur sepse me ndeshje të veçanta kemi humbur shumë, dhe do të ishim më mirë në klasifikim. Do shohim të marrim pikët dhe jo të luajmë bukur, në ndeshje si kjo në Durrës duhet përqendrim i madh dhe do duhet të dalim me pikë. Duhet të bëjmë mirë si në sulm dhe në mbrojtje pasi kundërshtari do mundohet të na godasë.”, tha Josa për Teutën.
Duke folur për dëmtimet, Josa konfirmon që dyshja Latifi-Boshnjaku do të vazhdojë të mungojë në formacion.
“Nuk i llogaris të dëmtuarit sepse çdo futbollist gjatë kampionatit do të dëmtohen e do të kemi mungesat tona, por lojtarë që janë në thirrje duhet të jenë gatshëm gjatë 90 minutëshit. Kemi rikthime por kemi dhe lojtarë që janë akoma jashtë si Latifi dhe Boshnjaku.”, sqaroi Josa.
Me hapësirat e dukshme që po i jep në formacion si titullar, duket se Vllanzia ka fituar të riun Rejan Alivoda. Megjithatë, Josa është i mendimit se Alivodës i duhet të vazhdojë të punojë fort për tu rritur si futbollist. “Sa ka filluar të luaj futboll, mu më intereson që lojtarët që thirren për të plotësuar vendin të jetë të gatshëm përtej gabimeve. Alivoda e shprehu gatishmërinë e tij, por çfarë ka kaluar ka kaluar dhe do të shohim para.”, u shpreh Josa.
Në fund, ka vend edhe për urimet dhe përgëzimet në adresë së Vllaznisë së futbollit femra, e cila pasditen e djeshme fitoj ndaj kampiones së Ukraines duke u kualifikuar në fazëb e grupeve të Ligës së kampioneve të Europës.
“Urime shumë stafit dhe ekipit bënë një ndeshje të mirë. Më bëri përshtypje shumë pasi shikova dhe ndeshjen e parë e të dytë dhe ekipi ishte përmirësuar shumë. I uroj suksese në vazhdimësi, ishte një shans që e kapën në momentin e duhur. Ishte një punë e madhe dhe përkushtim nga stafi që ka investuar shumë dhe u shpërblye. Kishte shumë përmirësim dhe kjo më pëlqeu, tani i duhet të vijojnë kështu dhe në fazën tjetër.”, përfundoi njëshi i pankinës kuqeblu, Mirel Josa.