Ora 17:45 e pasdites së sotme shënon startin e ndeshjes Teuta-Vllaznia, takim që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit për llogari të javës së gjashtë të kategorisë Superiore.
Në pritje të kësaj ndeshje, skuadra kuqeblu, pasi konsumoi paraditen ne sw enjtes seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi” është nisur drejt Durrësit ku edhe ka kaluar natën e mbrëmshme në një nga hotelet e periferisë së qytetit.
Ndërkohë, nisur nga ajo që ka aplikuar në seancën e fundit, por edhe nga analizat e bëra me skuadrën, mësohet se tekniku Josa ka projektuar titullarët e kësaj ndeshje. Nisur nga kontigjenti që ka në dispozicion, me dyshen Latifi-Boshnjaku që vijojnë të mungojnë për arsye dëmtimi, si dhe me rikthimin e mbojtësit Bulatoviç dhe mesfushorit Heriç, formacioni ka pësuar ndryshime në krahasim me ndeshjen e kaluar luajtur në Shkodër ndaj Kastriotit.
Ndryshimet do të jenë në mbrojtje dhe mesfushë, ndërkohë që pjesa tjetër pritet të jetë e njëjta. Darko Bulatoviç do të vendoset në qëndër të mbrojtjes përkrah Juriç duke spostuar në stol Dajan Shehin që zëvendësoi malazezin sa ai mungoi, përfshirë edhe ndeshjen e Kupës ndaj Flamurtarit, ndërkohë që nga minuta e parë do ta nisë edhe Helvedin Heriç në mesfushë.
Në këtë mënyrë, formacioni anti-Teuta merr këtë pamje: Zogoviç, Gurishta, Bulatoviç, Hakaj, Jonuzi, Alivoda, Heriç, Mala, Herald Marku, Ardit Hoxhaj. Gjithësesi, edhe pse emrat në fjalë janë të konfirmuar nga brenda stafit teknik, deri një orë përpara ndeshjes, lind e drejta që në varësi të ndonjë situate të re të ketë ndonjë ndryshim të vogël në protokollin e ndeshjes.
Nga sa bëhet e ditur, ndeshja Teuta-Vllaznia do të gjykohet nga Kreshnik Bajramaj arbitër kryesor, duke pasur asistentë në të dy krahët e fushës, Egin Doda dhe Endrit Veseli, ndërkohë që arbitër i katërt është Orlando Kuka. Klodjan Prenga dhe Nertil Bregasi, do të jenë në sistemin VAR dhe AVAR.