Mbrëmja e së mërkurës, në Stamford Bridge, do të vendosë përballë Chelsea dhe Milan në ditën e tretë të grupit E të Champions League. Kuqezinjtë aktualisht zënë vendin e parë me 4 pikë, ndërsa blutë janë të fundit me vetëm një pikë të grumbulluar në dy ndeshjet e para.
Chelsea, në ndeshjen e luajtur të shtunën e kaluar, pushtoi fushën e Crystal Palace 2-1 falë golave të Aubameyang dhe Gallagher, duke koleksionuar fitoren e dytë radhazi në ligë. Londinezët për momentin janë në vendin e pestë në Premier League me -9 nga lideri Arsenal, por me një ndeshje më shumë për të luajtur. Në Champions League, megjithatë, fillimi nuk ishte sigurisht më emocionuesi: fillimisht nokauti surprizë 1-0 kundër Dinamo Zagrebit, më pas barazimi zhgënjyes 1-1 në shtëpi me Salzburgun.
Milani, në ndeshjen e fundit të kampionatit, ka mposhtur 3-1 Empolin në rikuperim të plotë, duke lënë kështu pas hidhërimin për nokautin e brendshëm me Napolin. Kuqezinjtë janë aktualisht në vendin e katërt së bashku me Lazion në Serie A me 17 pikë, tre më pak se liderët Napoli dhe Atalanta. Në Champions League, nga ana tjetër, ‘Djalli’ bëri debutimin e tij duke barazuar 1-1 në fushën e Salzburgut për të gjetur më pas fitoren 3-1 në San Siro ndaj Dinamo Zagrebit.
Në mediat britanike u fol gjatë se Armando Broja ka arritur që t’i lërë mbresa trajnerit të ri të Chelsea, Potter. Pritshmëria ishte e madhe që sulmuesi ta niste titullar ndaj Crystal Palace, por edhe për shkak të angazhimit me Shqipërinë, kishte vetëm disa minuta në pjesën e dytë.
A mund të jetë momenti që Broja ta nisi si titullar kundër Milanit në Champions League? Asgjë nuk mund të përjashtohet, me shanset që shtohen pasi Kai Havertz është në dyshim dhe mund të mungojë në këtë takim. Tifozët kanë kërkuar prej kohësh që Broja të aktivizohet së bashku me Aubameyang, duke parë performancën e dobët të Havertz.
Për Chelsean, mbrëmja e së mërkurës do të jetë një ndeshje ku do të jetë e ndaluar të gabojë. Blutë, për të mos rrezikuar shanset e tyre për t’u kualifikuar në fazën e 16-të, do të duhet të përpiqen në çdo mënyrë për të fituar duke shfrytëzuar mbështetjen e publikut të tyre. Për më tepër, anglezët do të jenë në gjendje të përfitojnë nga mungesat e shumta që kanë “vrarë” Milanin në javët e fundit: kjo është arsyeja pse njerëzit e Potter-it, pavarësisht nga një fillim jo tamam emocionues i sezonit, nisen si favoritë.
Një sfidë e gjitha për t’u përjetuar, në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar ,sonte, ora 21:00 në RTSH 1 dhe RTSH Sport.