Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë një tjetër mini-turne të rëndësishëm europian në vendin tonë. Bëhet fjalë për ndeshjet kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian U-17 për vajza, që do të zhvillohen në Shqipëri në datat 18-24 tetor.
Shqipëria U-17 për vajza, që drejtohet nga trajneri Agustin Kola është pjesë e grupit B3 në Ligën B së bashku me Moldavinë, Kosovën e Maqedoninë e Veriut. Të gjashta sfidat e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 18, 21 dhe 24 tetor në stadiumet ‘Selman Stermasi’ dhe ‘Elbasan Arena’.
Përballja e parë e Shqipërisë do të jetë kundër Maqedonisë së Veriut më 18 tetor, e do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 14:30. Ndërkaq, tre ditë më vonë, vajzat kuqezi do të përballen me Moldavinë, në po të njëjtën orë, në impiantin “Elbasan Arena”.
Sfida e tretë dhe e fundit e Shqipërisë U-17 për vajza do të jetë kundër Kosovës, më 24 tetor në stadiumin “Elbasan Arena”, në ora 14:30.
Ndërkaq, ndeshjet e tjera të grupit, të ekipeve mike do të zhvillohen në stadiumin, “Selman Stermasi” në kryeqytet.
Federatës së Futbollit i janë besuar një sërë aktivitetesh të rëndësishme të nivelit europian përgjatë këtij viti, që nga turnetë e grupmoshave të ndryshme të UEFA-s, te ndeshjet e raundit para-eliminator të UEFA Futsal Champions League, e sigurisht, qershia mbi tortë ishte finalja e madhe e UEFA Europa Conference League në Tiranë.
Një tregues ky mjaft i qartë i punës së mirë që FSHF-ja ka treguar ndër vite, duke dëshmuar seriozitet dhe besueshmëri te qeveria e futbollit europian.
Kalendari i ndeshjeve për Grupin B3, Liga B:
18 tetor
Kosovë U-17 – Moldavi U-17, 12:00 ‘Selman Stermasi’
Shqipëri U-17 – Maqedoni e Veriut U-17, 14:30 ‘Elbasan Arena’
21 tetor
Kosovë U-17 – Maqedoni e Veriut U-17, 12:00 ‘Selman Stermasi’
Shqipëri U-17 – Moldavi U-17, 14:30 ‘Elbasan Arena’
24 tetor
Shqipëri U-17 – Kosovë U-17, 14:30 ‘Elbasan Arena’
Moldavi U-17 – Maqedoni e Veriut U-17, 14:30 ‘Selman Stermasi’